TIRANË-SPAK ka çuar për gjykim organizatën kriminale të Franc Çopjas dhe Ervis Çelës. Në gjyq bashkë me Franc Çopjan dhe Ervis Çelën janë dërguar dhe 14 të pandehur të tjerë: Fadil Balla, Riza Çela, Ardjan Çela, Maringlen Mullaj, Petrit Lakatos, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami, Soni Pepa, Albin Çela, Elidon Çela, Denis Daja, Ditjon Pepa dhe Kujtim Gjyla. Sipas hetimeve organizata trafikoi të paktën 60,7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës gjatë viteve 2019–2021, ndërsa mbi 18 tonë u sekuestruan në pesë episode.
Në njoftimin e SPAK ndahen edhe rolet e secilit prej të pandehurve ku drejtimi ishte në dorën e Franc Çopjas dhe Ervis Çelës. SPAK ka zbërthyer edhe mënyrën si transportohej dorga nga Amerika e Jugut në vendet e Europës. Gjithçka ishte e koordinuar në hallka të ndryshme të zinxhirit të trafikimit të narkotikëve, duke filluar nga sigurimi i lëndës narkotike në vendet e origjinës, financimi dhe transportimi i saj, deri te shpërndarja në disa shtete të Bashkimit Europian, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Belgjikën, Holandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë.
Sipas prokurorisë, Ervis Çela dyshohet se ishte përgjegjës për sigurimin e drogës në vendet e origjinës, kryesisht në Amerikën Latine. Ndërkohë Franc Çopja kishte në fokus financimin dhe organizimin e transportit ndërkombëtar, si dhe shpërndarjen e kokainës në Europë. Sipas hetimeve, ai koordinonte kompanitë që porosisnin mallra të ligjshme, të cilat përdoreshin për të fshehur drogën në kontejnerë.
Laboratorët e drogës
Nga komunikimet e analizuara rezulton se laboratorët e prodhimit të kokainës në zonën e Andeve, veçanërisht në Bolivi, referoheshin me termin “kuzhina”. Në këtë fazë të furnizimit, Ervis Çela rezulton të ketë pasur rolin qendror. Komunikimet e tij me Franc Gergelyn evidentojnë bashkërendimin mes dy hallkave, atë të furnizimit dhe më pas të financimit dhe transportit ndërkombëtar. Kokaina transportohej drejt Paraguait, ku magazinohej dhe përgatitej për eksport. Për këtë qëllim përdorej edhe transporti ajror me avionë të vegjël nga Bolivia drejt zonave rurale të Paraguait. Pas mbërritjes në Paraguaj, kokaina grumbullohej, magazinohej dhe përgatitej për eksport drejt Europës.
Klimi në portet e Europës
Franc Çopja kishte një rol të veçantë, për shkak të kontakteve që dyshohet se kishte krijuar me persona të lidhur me strukturat doganore dhe të sigurisë në portin e Anversës, përfshirë punonjës që operonin skanerët e kontrollit të kontejnerëve. Sipas hetimeve, për nxjerrjen e drogës nevojitej bashkëpunimi i personave që kishin informacion mbi lëvizjen e kontejnerëve dhe që mundësonin kalimin e tyre përmes kontrolleve portuale. Kostoja për nxjerrjen e kokainës nga porti arrinte në 15 për qind të sasisë së ngarkesës.
Më pas kokaina dërgohej kryesisht drejt Holandës, e cila, sipas SPAK, shërbente si një nga qendrat kryesore të magazinimit dhe shpërndarjes me shumicë. Çopja dyshohet se koordinonte sasitë që do të shiteshin, përcaktonte çmimet, organizonte paketimin dhe transportin drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian.
Kokaina blihej me rreth 4100-4200 dollarë për kilogramë (ky çmim parashikonte edhe transportin deri në Portin e Villetës, Paraguaj).
Për imbarkimin në anije paguheshin edhe 1300 dollarë për kilogram, në formën e rryshfetit për kalimin e ngarkesës.
Transferimi i parave bëhej përmes sistemit Hawala. Mekanizmi mundësonte transferimin e parave përmes një rrjeti ndërmjetësish në vende të ndryshme, pa qenë e nevojshme lëvizja fizike e shumave monetare. Në komunikimet e zbërthyera përmendet edhe përdorimi i kodeve identifikuese, të njohura si “token”, të cilat shërbenin për të verifikuar dorëzimin dhe marrjen e parave. Në këtë rrjet përmenden si pika tranziti ose destinacioni Paraguaji, Bolivia, Brazili, Shqipëria, Turqia dhe Dubai.
Nga analizimi i komunikimeve në platformat e enkriptuara SkyECC dhe EncroChat, si dhe nga provat e mbledhura në bashkëpunim me autoritetet e huaja, SPAK thotë se organizata ka trafikuar të paktën 60.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës, gjatë viteve 2019-2021./ZËRI