Politikë

'Kush i propozon ministrat', Veliaj: Rama ndërhyri te shkarkimet, më kërkoi mandatin

Veliaj akuzon kryeministri Edi Rama për ndërhyrje politike në Bashkinë e Tiranës dhe përpjekje për t’i ndërprerë mandatin e marrë me votë nga qytetarët.

F.I
'Kush i propozon ministrat', Veliaj: Rama ndërhyri te shkarkimet,
Erion Veliaj

TIRANË-Në letrën drejtuar Asamblesë së PS, kryebashkiaku Erion Veliaj ka ngritur pikëpyetje mbi kriteret e përzgjedhjes së ministrave, përfaqësimin e tyre në PS dhe nivelin e debatit që zhvillohet në organet drejtuese për përbërjen dhe drejtimin e qeverisë. Veliaj akuzon kryeministri Edi Rama për ndërhyrje politike në Bashkinë e Tiranës dhe përpjekje për t’i ndërprerë mandatin e marrë me votë nga qytetarët.

Sipas tij, Rama ka ndërhyrë në administratën e bashkisë gjatë kohës që ai ndodhej në paraburgim, me synimin për të dobësuar ndikimin e tij politik. Kryebashkiaku pretendon se ndërhyrej e Ramës kanë qenë një përpjekje për ndërprerjen e mandatit të tij për qëllime politike, duke iu referuar më tej vendimit nr. 66, datë 3 nëntor 2025, të Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Erion Veliaj:Le të fillojmë nga mënyra se si formohet qeveria. Kush i propozon ministrat? Mbi cilat kritere politike dhe profesionale përzgjidhen? Çfarë përfaqësimi kanë në Partinë Socialiste? Çfarë debati zhvillohet në organet e saj për përbërjen dhe drejtimin politik të qeverisë? Përgjigjja që dëgjojmë shpesh është se qeveria është përgjegjësi e kryeministrit. Kushtetuta ia njeh kryeministrit kompetencën për të propozuar emërimin dhe shkarkimin e ministrave. Kjo kompetencë është e qartë dhe nuk vihet në diskutim. Por kompetenca kushtetuese për të formuar qeverinë nuk e përjashton përgjegjësinë politike ndaj partisë që ka marrë mandatin për të qeverisur.

Gjatë paraburgimit tim, drejtimi i përditshëm i bashkisë vazhdoi në rrethana të jashtëzakonshme. Unë kam tashmë bindjen se ndryshimet e personelit dhe mënyra e administrimit janë përdorur, më shumë se për qytetin, për të dobësuar ndikimin tim politik dhe për të larguar bashkëpunëtorë me të cilët kemi punuar për vite. Ndërhyrja e kryeministrit në shkarkimet në bashki, e bëri administratën më pak funksionale dhe e largoi atë nga vizioni i kryetarit të zgjedhur drejtpërdrejt me votë, duke zgjeruar ndikimin politik dhe marrëdhëniet klienteliste. Por ndërhyrja më e rëndë ndaj mandatit tim nuk u kufizua te ndryshimet në administratë. 

Në shtator 2025, Këshilli Bashkiak, nën presionin e drejtpërdrejtë të Edi Ramës, propozoi shkarkimin tim. Më pas, Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e tij, miratoi vendimin për shkarkimin tim nga detyra. Unë e konsideroj këtë një përpjekje për ndërprerjen e mandatit tim për qëllime politike, përmes përdorimit antikushtetues të institucioneve shtetërore. E kundërshtova këtë vendimmarrje në Gjykatën Kushtetuese. Me vendimin nr. 66, datë 3 nëntor 2025, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Ky është një fakt juridik i qartë.

Por ai kërkon edhe shqyrtimin e përgjegjësisë institucionale dhe politike: përse u ndërmor një procedurë që përfundoi me shfuqizimin kushtetues të shkarkimit të një kryetari bashkie të zgjedhur drejtpërdrejt? Unë kam shprehur bindjen, tashmë edhe në Strasburg, se pas përpjekjes për shkarkimin tim ka ekzistuar një qëllim për neutralizimin tim politik.

MOS HUMB