Aktualitet

Gjurmët e udhëtimeve i tradhtuan, katër shqiptarë dënohen për vjedhje banesash në Londër (EMRAT)

Hetimet i lidhën ata me disa vjedhje të kryera në zona të ndryshme të Londrës ku mes sendeve të marra ishin një orë Rolex me vlerë 7 mijë paund bizhuteri floriri dhe një unazë antike.

M.K.
Gjurmët e udhëtimeve i tradhtuan, katër shqiptarë
Policia në Britaninë e Madhe

ANGLI- Katër shqiptarë janë dënuar me burg në Angli pasi u përfshinë në një sërë vjedhjesh në banesa në Londër ku objektiv i grabitësve ishin kryesisht familjet e komunitetit të Azisë Jugore. Gjatë sulmeve, ata arritën të përvetësonin bizhuteri dhe sende luksi me vlerë mijëra paund ndërsa hetuesit zbuluan lëvizjet e tyre përmes pamjeve filmike provave forenzike dhe gjurmëve të lëna gjatë përdorimit të transportit publik.

Sipas mediave britanike, mes personave të dënuar janë Çlirim Ferizi 26 vjeç dhe Oresti Saliaj 40 vjeç. I pari u dënua me dy vite burg ndërsa Saliaj me tre vite e gjashtë muaj. Hetimet i lidhën ata me disa vjedhje të kryera në zona të ndryshme të Londrës ku mes sendeve të marra ishin një orë Rolex me vlerë 7 mijë paund bizhuteri floriri dhe një unazë antike.

Një rol të rëndësishëm në zbardhjen e rasteve luajtën edhe të dhënat e kartave Oyster të cilat përdoren për udhëtimet në transportin publik të Londrës. Analiza e këtyre të dhënave u mundësoi hetuesve të rindërtonin itineraret e dy shqiptarëve dhe të krahasonin lëvizjet e tyre me zonat ku ishin kryer vjedhjet. Këto prova u plotësuan nga pamjet e kamerave të sigurisë të cilat kishin regjistruar lëvizjet e tyre para dhe pas hyrjes në banesa.

Në një tjetër hetim për vjedhje banesash në zonën e Hayes, janë dënuar edhe dy shtetas shqiptarë Dionis Hetaj 35 vjeç dhe Arben Cuka 31 vjeç. Sipas autoriteteve britanike të dy kanë marrë së bashku pesë vite burgim.

Ndërkohë në një hetim të veçantë që lidhej me veprimtarinë e një grupi kriminal në Londër dhe zonat përreth saj është dënuar edhe Patrick Doherty me tre vite e nëntë muaj burg./ZËRI

MOS HUMB