Factcheck

Ekskluzive/ BSH: Vizioni për një Shqipëri “cashless” në 2030, i mundshëm, por paraja fizike nuk do të zhduket

Projekti ambicioz i njoftuar nga kryeministri Edi Rama se Shqipëria në vitin 2030 do të jetë shteti i parë në botë që nuk përdor paranë cash është në fokusin e specialistëve të fushës, ku mes dyshimeve shihen mundësitë e realizimit. Banka e Shqipërisë, e kontaktuar nga ZËRI, në një intervistë ekskluzive shpjegon procesin ku do të kalojë vendi dhe sistemi bankar për t’ju afruar “cashless” në vitin 2030.

Fjola Graçi
Ekskluzive/ BSH: Vizioni për një Shqipëri “cashless”
Foto ilustrim: Edi rama-banka e shqipërisë-Gent Sejko

TIRANE- Një deklaratë e kryeministrit Edi Rama se Shqipëria deri në fund të vitit 2030 do të jetë shteti i parë i botës që do të përdorë paranë dixhitale, duke eleminuar paranë fizike, është kthyer në shqetësimin kryesor të shumë ekspertëve të ekonomisë. Disa shprehen skeptikë për arritjen e këtij qëllimi, kur në vend ende informaliteti është i lartë dhe shumica e pagesave kryhen ‘cash’.

‘Kemi një ambicie: deri në fundin e kësaj dekade, Shqipëria do të jetë shoqëri që nuk përdor pará "cash”, çka do të thotë se të gjitha veprimet dhe transaksionet financiare do të jenë plotësisht digjitale. Ajo që na nevojitet është më shumë kualifikim. Besoj se nëse ne menaxhojmë siç duhet rrugën drejt kësaj ambicieje, qëllimi është tërësisht i arritshëm dhe do ta lehtësojë vendin nga një barrë e rëndë praktikash të vjetëruara dhe mungese efikasiteti që rëndon në jetën e përditshme” – tha ai gjatë një takimi me përfaqësuesë të sektorit të inovacionit dhe teknologjisë.

Por sa i mundshëm është ky vizion për realitetin shqiptar? ZËRI kërkoi një qëndrim zyrtar nga Banka e Shqipërisë, e cila nuk është shprehur zyrtarisht për këtë deklaratë të kreut të qeverisë. Për herë të parë, ekskluzivisht për ZËRI, Banka e Shqipërisë, si institucioni kryesor financiar i vendit sqaron pengesat, vështirësitë që bankat do të kenë gjatë këtij procesi por edhe realitetin e ri të pagesave online. BSH thekson se nga 7 tetori në vend do të hyjë në fuqi marrëveshja për pagesat “SEPA”, duke bërë që pagesat me vendet e BE të shkurtojnë kohë dhe kosto.

“Pagesat SEPA janë disa herë më të lira dhe më të shpejta sesa pagesat ndëkufitare që kryhen sot me bankat korrespondente. Në këtë drejtim, vlerësohet se krijimi i një faciliteti të tillë do të rrisë përdorimin e rrugëve digjitale për pagesat ndërkufitare, të paktën me vende të Bashkimit Evropian, me rrjedhoja pozitive zinxhir në ekonominë shqiptare. Edhe në këtë drejtim Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në rregullimin e komisioneve të aplikuara për pagesat SEPA duke detyruar bankat të respektojnë të njëjtat tavane të aplikuara për pagesat në euro brenda vendit në linjë me praktikat evropiane.”-thotë Banka.

Ndërkohë që në lidhje me deklaratën e kryeministrit, Banka shprehet se “procesi i kalimit drejt pagesave elektronike është një realitet i mundshëm dhe i pashmangshëm”, duke sqaruar se ndryshimet teknologjike do ta sjellin këtë realitet edhe në Shqipëri.

Por Banka shton se nuk bëhet fjalë për eleminim të parasë fizike.

“Shqipëria e 2030 do të jetë një realitet shumë i ndryshëm nga ky i sotmi përsa i përket pagesave digjitale. Duhet të kuptojmë që nuk bëhet fjalë për elemininim total dhe përfundimtar të cash-it. Vende të përparuara, të cilat kanë një eksperiencë më të gjatë me pagesat digjitale dhe një shkallë disafish më lartë të përdorimit të tyre, këshillojnë vijimin e përdorimit të parasë fizike si një mjet pagese të qëndrueshëm dhe i besueshëm, veçanërisht gjatë krizave. Paraja fizike duhet të jetë funksionale si mjet alternativ kur sistemet elektronike të pagesave ndërpriten për shkak të mungesës së energjisë elektrike, dështimeve të internetit, problemeve me softuerin apo ngjarjeve të tjera.”-mbyll banka shpjegimin për këtë çështje.

Intervista e plotë me shkrim:

ZËRI: Në lidhje me këtë deklaratë, pyetja që shtrohet është se çfarë hapi konkret ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë deri tani për të stimuluar përdorimin e pagesave digjitale dhe për të zvogëluar përdorimin e parasë fizike në vend?

BSH: Banka e Shqipërisë ka qenë pararojë në revolucionin që po ndryshon mënyrën se si aksesojmë dhe ndërveprojmë me shërbimet financiare. Banka e Shqipërisë synon të krijojë një treg modern dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe instrumente të ndryshme që i përshtaten nevojave të përdoruesve. Duhet të kemi parasysh, se si autoritet rregullator, BSh nga njëra anë është aktive në promovimin e teknologjisë që nxit përdorimin e pagesave digjitale, dhe nga ana tjetër synon të sigurojë mbrojtjen e nevojshme për konsumatorin, stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen e subjekteve financiare.

Që nga viti 2018, Banka e Shqipërisë dhe Komiteti Kombëtar i Sistemit të Pagesave kanë nisur një reformë për modernizimin e tregut të pagesave, me qëllim promovimin e pagesave elektronike dhe përfshirjen financiare. Masat e marra kanë dhënë rezultate konkrete, ku: Përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave vijon të rritet me ritme dyshifrore. Numri I pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm rreth 4 pagesa për frymë në vitin 2016. Gjithashtu, përfshirja financiare e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare ka arritur në 78%, nga rreth 40% në vitin 2017. Infrastruktura për pranimin e instrumenteve digjitale të pagesave gjithashtu ka njohur rritje të përshpejtuar. Instrumente të reja, si pagesat nëpërmjet portofoleve elektronike po gjejnë përdorim gjithnjë e më të gjerë, duke u shtrirë edhe në popullsi ku aksesi bankar është më i rrallë.

Masat kryesore të ndërmarra nga BSh përmblidhen më poshtë: Nga pikëpamja e ndryshimeve rregullatore, arritja kryesore është miratimi dhe zbatimi i Ligjit “Për shërbimet e pagesave” dhe kuadrit rregullativ në zbatim, i cili ka transpozuar direktivën e Bashkimit Evropian për Shërbimet e Pagesave, PSD2. Ligji ka reformuar dhe dixhitalizuar një spektër të gjerë të shërbimeve të pagesave elektronike. Gjithashtu, ligji ka krijuar një kuadër tepër prudencial për mbrojtjen e konsumatorit. Nëpërmjet prezantimit të aktorëve dhe shërbimeve të reja, si dhe ridimensionimit të veprimtarisë aktuale të institucioneve financiare jo banka që ofrojnë shërbime pagesash dhe transfertash, ligji nxit konkurrencën në tregun e pagesave, duke krijuar kështu shërbime më efikase si nga pikëpamja e kostove të mbartura në përdorim, ashtu edhe në lehtësinë e përdorimit nga publiku i gjerë dhe me ndërgjegjësim financiar të ulët. Me hyrjen në fuqi të ligjit, u vu re një rritje e numrit të institucioneve të parasë elektronike nga 2 që ishin në vitin 2019 në 10 të tilla aktualisht, gjë që është reflektuar në rritje të volumit dhe vlerës së pagesave digjitale. Vlen të theksohet se këto institucione në vitin 2024 kanë ofruar rreth 300 mijë llogari për kryerjen e pagesave kryesisht elektronike duke kontribuar në nxitjen e përfshirjes financiare dhe përdorimit të pagesave elektronike në tregun shqiptar.

Nga ana tjetër, është e rëndësishme të theksohet se, ky ligj ka synuar të akomodojë nevojat për shtrirje gjithëpërfshirëse të sistemit bankar dhe atij financiar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë (përfshirë dhe zonat rurale), duke lejuar edhe bankat tregtare të operojnë me agjentë. Qëllimi është ofrimi i sa më shumë alternativave në dispozicion të popullsisë në funksion të rritjes së aksesit financiar. Miratimi i kuadrit rregullator në zbatim të ligjit “ Për shërbimet e pagesave” krijoi të gjitha parakushtet e nevojshme për zbatimin e “open banking” në treg, sipas standardeve Evropiane. Koncepti i “open banking” nënkupton krijimin e zhvillimeve teknologjike, me qëllim që informacioni i klientëve të bankave të jetë i hapur ndaj palëve të treta, duke mbështetur veprimtarinë e institucioneve jo banka për shërbimet e pagesave digjitale. Ky koncept është tashmë në zbatim ku pothuajse të gjitha bankat kanë krijuar infrastrukturat përkatëse për të shkëmbyer informacion me subjekte jo banka, për inicimin e pagesave digjitale. Duke qenë se jobankat mund të kenë shtrije më të gjerë dhe kosto të ulëta për kryerjen e pagesave, një ndërlidhje e tillë synon të ofrojë alternativa për kryerjen e pagesave

Në aspektin ligjor një tjetër hap i rëndësishëm miratimi i ligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i cili përcakton rregullat dhe kushtet për hapjen dhe përdorimin e llogarisë së pagesave me shërbime bazike për konsumatorët dhe individët, duke përfshirë veçanërisht ata të cilët janë të pa mbuluar me shërbime bankare, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit apo historikut të aftësisë paguese brenda Republikës së Shqipërisë. Në mbështetje të këtij ligji, Banka e Shqipërisë miratoi edhe Rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”. Këto akte ligjore e nënligjore ndikojnë pozitivisht në masën e përdorimit të shërbimit të pagesave, si dhe në zgjerimin e përqindjes së popullsisë që zotëron një llogari pagese dhe kryen veprime me të, duke nxitur në këtë mënyrë përfshirjen financiare të popullsisë shqiptare.

 Banka e Shqipërisë, si një autoritet avangrard në promovimin e pagesave ndërbankare në vitin 2011 dhe atyre elektronike ndër vite ka ndërmarra masa për rregullimin e komisioneve të aplikuara nga bankat nëpërmjet vendosjes së tavaneve për këto komisione. Kështu, ndonëse u miratua në kuadër të pandemisë, ndryshimet rregullative për reduktimin e kostove të transfertave elektronike krahas vlerave tavan të vendosura për të gjithë pagesat u bënë pjesë e kuadrit rregullativ të Bankës së Shqipërisë me qëllim promovimin e pagesave elektronike. Ato synojnë promovimin e transfertave elektronike në lekë (nëpërmjet shërbimeve homebanking) duke rregulluar politikat e bankave për komisionet e aplikuara duke diferencuar qartë komisionet në formë elektronike (50% më të ulëta) krahasuar me ato të iniciuara në degët e bankave (në formë letër), si dhe mos aplikimin e asnjë komisioni për pagesat deri në 20,000 lekë për transfertat elektronike. Për të vijuar me politikat e saj në kuadër të promovimit të pagesave elektronike dhe përdorimit sa më të gjerë të sistemeve të pagesave në muajin shtator pritet të miratohet një paketë e re për komisionet që I ngarkohen klientëve për pagesat që kryhen nëpërmjet sistemeve të BSh, e cila është ndjeshëm me tarifa më të ulëta sesa ato që aplikohen aktualisht. Gjithashtu, tarifat e reja bëjnë një dallim të qartë midis në degët e bankave dhe atyre digjitale në favor të këtyre të fundit. Ulja disafish e kostove për pagesat digjitale pritet të nxisë përdorimin e tyre nga publiku i gjerë.

 Sikurse jeni njoftuar, në 7 tetor nis operacionalizimi i pagesave ndërkufitare në skemat SEPA.

Pagesat SEPA janë disa herë më të lira dhe më të shpejta sesa pagesat ndëkufitare që kryhen sot me bankat korrespondente. Në këtë drejtim, vlerësohet se krijimi i një faciliteti të tillë do të rrisë përdorimin e rrugëve digjitale për pagesat ndërkufitare, të paktën me vende të Bashkimit Evropian, me rrjedhoja pozitive zinxhir në ekonominë shqiptare. Edhe në këtë drejtim Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në rregullimin e komisioneve të aplikuara për pagesat SEPA duke detyruar bankat të respektojnë të njëjtat tavane të aplikuara për pagesat në euro brenda vendit në linjë me praktikat evropiane.

Pjesë e strategjisë së Bankës së Shqipërisë ka qenë investimi në infrastruktura të reja dhe moderne të sistemeve të pagesave.

 BSh realizoi sistemin për kryerjen e pagesave ndërbankare në euro brenda vendit, duke shmangur bankat korrespondente, si dhe atë për debitimin direkt ndërbankar që i mundëson klientëve të bankave të kryejnë pagesat utilitare pa patur nevojë të paraqiten në bankë. Sistemet ekzistuese të shlyerjes në kohë reale janë përmirësuar për të lejuar, jo vetëm bankat, por të gjitha institucionet e pagesave dhe të parasë elektronike të konkurrojnë me kushte të barabarta me bankat. Funksionimi i këtyre sistemeve sjell avantazhe të mëdha për konsumatorin, nëpërmjet rritjes së fleksibilitetit, uljes së ndjeshme të kostove dhe rritjes së aksesit në shërbimet e pagesave.

Në funksion të përmirësimeve infrastrukturore dhe me qëllim mbështetjen e një sërë projektesh strategjike në fushën e pagesave Banka e Shqipërisë ka përditësuar sistemet e pagesave AIPS, AIPS EURO dhe AECH. Projekti tjetër i cili përbën një hap cilësor në drejtim të promovimit të pagesave digjitale është zhvillimi i sistemit të pagesave të shpejta, apo Instant payment. Sistemet instant payment janë sistemet më të avancuara të pagesave digjitale. Ato mundësojnë që qytetarët dhe bizneset të kryejnë pagesa dhe transferta në kohë reale në çdo moment, brenda pak sekondave, duke patur në dispozicion vetëm një celular. Implementimi i këtij sistemi shoqërohet dhe me funksione të tjera, si krijimi i kodeve QR për pagesa, apo i link-eve. Sistemi po ndërtohet nga Banka e Italisë duke ndjekur standardet e sistemit të Bashkimit Evropian për pagesat e shpejta (TIPS). Në këtë projekt marrin pjesë edhe banka të tjera të Ballkanit Perëndimor, çka nënkupton se ky sistem në të ardhmen mundëson dhe pagesat digjitale me rajonin, në kohë reale.

Përdorimi i infrastrukturave të reja nuk mund të gjejë përdorim nëse nuk kuptohet dhe përqafohet lehtësisht nga konsumatorët. Për këtë arsye, BSh ka hartuar dhe miratuar Strategjinë e Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, duke e konsideruar rritjen e kulturën financiare dhe përdorimin e shërbimeve financiare në Shqipëri një domosdoshmëri. Në kuadër të kësaj strategjie po ndërmerren një sërë aktivitetesh edukative dhe promovuese të instrumenteve elektronike të pagesave. Masat e marra nuk kanë qenë të izoluara. Banka e Shqipërisë në vazhdimësi ka bashkërenduar përpjekjet me qeverinë shqiptare në kuadër të promovimin të pagesave elektronike dhe formalizmit të ekonomisë një përpjekje kjo që do të intensifikohet në periudhën në vijim.

ZËRI: Sipas të dhënave që disponon Banka e Shqipërisë, çfarë pengesash kanë hasur bankat dhe bizneset private për të përshpejtuar këtë proces?

BSH: Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bankat dhe bizneset private hasin disa pengesa kryesore në përshpejtimin e procesit të kryerjes së pagesave digjitale. Disa nga këto pengesa janë:

- Infrastruktura e kufizuar teknologjike. Infrastruktura e nevojshme për pagesat elektronike, nuk është e zhvilluar plotësisht infrastruktura në të gjithë vendin, sidomos në zonat rurale dheperiferike. Kjo përfshin mungesën e terminaleve ATM /POS, frekuencën më të rrallë të degëve dhe aksesit në aplikacione bankare, rrjetit të sigurt të pagesave, etj..

- Kosto e lartë për implementimin e teknologjive të reja. Bankat dhe bizneset shpesh hasin në vështirësi financiare për të investuar në teknologji të avancuara për pagesa elektronike, gjë që pengon përhapjen e shpejtë të tyre.

- Mungesa e edukimit financiar dhe kultivimit të besimit tek ofruesit e shërbimeve të pagesave. Shumë përdorues kanë mungesë njohurish mbi mënyrat dhe përfitimet e pagesave elektronike, ose nuk kanë besim në sigurinë e tyre, duke preferuar përdorimin e parasë cash. - Kosto ende e lartë e shërbimeve të pagesave. Kostot që shoqërojnë transfertat bankare apo pagesat digjitale konsiderohen të larta nga konsumatorët, duke i mbajtur ata larg nga këto shërbime.

- Historiku dhe rezistenca për të ndryshuar perceptimin. Biznese tradicionale dhe konsumatorët janë rezistentë ndaj adoptimit të teknologjive të reja, veçanërisht në rastin e Shqipërisë ku historiku i përdorimit të shërbimeve financiare nga publiku është e shkurtër.

ZËRI:  Ekspertët kanë shprehur shqetësime për përfshirjen e grupeve të caktuara shoqërore, si të moshuarit dhe ata pa akses në teknologji në këtë vizion të për ekonominë shqiptare. Cilat janë masat që po merr Banka e Shqipërisë për të rritur nivelin e edukimit financiar dhe digjital për këto grupe dhe a ka Banka e Shqipërisë partneritete me banka të tjera apo organizata për të përmirësuar përfshirjen e këtyre grupeve në sistemin financiar digjital?

BSH: Ky është një shqetësim jo vetëm i ekspertëve, por një pengesë e identifikuar prej kohësh nga BSh. Zgjerimi i përfshirjes financiare është një nga objektivat kryesore të strategjisë së BSh, por duhet të kemi parasysh që rezultatet duan kohë që të materializohen. Përfshirja financiare ishte në qendër të Strategjinë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023) ku si objektiv sasior ishte nxitja e përfshirjes financiare të popullsisë ku të paktën 70% e moshës së rritur të zotëronte një llogari bankare, 40% që ishte në vitin 2017. Të dhënat më të fundit të disponueshme tregojnë që ky tregues është të paktën 78%. Një nga masat kryesore për të adresuar përfshirjen e shtresave të moshuara dhe shtresat vulnerabël në shërbimet bankare të pagesave ishte miratimi i ligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike” në fund të vitit 2023. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave dhe kushteve për hapjen dhe përdorimin e llogarisë së pagesave me shërbime bazike për konsumatorët dhe individët ligjërisht rezidentë, duke përfshirë veçanërisht edhe konsumatorët dhe individët të pa mbuluar me shërbime bankare, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit, apo historikut të aftësisë paguese. Në këtë drejtim, në ligj përcaktohen lehtësime të tarifave për kategoritë e atyre konsumatorëve, të cilët kanë vështirësi apo pamundësi për hapjen dhe mbajtjen e një llogarie pagesash në banka, për shkak të kostove që ajo mbart, duke nisur me pensionistët për të cilët mbajtja e llogarisë është pa kosto. Gjithashtu, BSh po zbaton Strategjinë e saj për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, e cilakonsiderohet si një domosdoshmëri për të rritur më tej kulturën financiare dhe përdorimin e shërbimeve financiare në Shqipëri. Ajo synon të rrisë kulturën financiare të popullatës përmes ofrimit të udhëzimeve dhe këshillimit të shënjestruar dhe me cilësi. Në kuadër të strategjisë janë ndërmarrë një sërë aktivitetesh edukative dhe janë kryer disa fushata promocionale për përdorimin e pagesave digjitale, të cilat i janë drejtuar kryesisht nxënsve dhe studentëve. Zbatimi i kësaj strategjie ka mbështetjen kryesore të Bankës Botërore, dhe të organizatave të tjera vendase dhe të huaja, të specializuara në këtë fushë.

ZËRI: Çfarë pengesash parashikon Banka e Shqipërisë gjatë kalimit në një ekonomi “cashless” dhe cilat janë masat e planifikuar për të zbutur këto pengesa?

BSH: Sikurse u përmend më lart, rrugëtimi drejt përdorimit të pagesave digjitale has në disa sfida, si përdorimi ende i lartë i parasë fizike, niveli i kufizuar i edukimit financiar e digjital, kostot dhe infrastruktura e pagesave, çështjet e besimit dhe sigurisë kibernetike, si dhe aksesi i kufizuar në shërbimet financiare për një pjesë të popullsisë. Për adresimin e tyre, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa konkrete si përmirësimi i kuadrit ligjor dhe rregullator, modernizimi i infrastrukturës së pagesave, promovimi i edukimit financiar dhe digjital, forcimi i sigurisë kibernetike dhe nxitja e përfshirjes financiare përmes instrumenteve më të thjeshta dhe me kosto të përballueshme. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për të garantuar një proces të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, ku kalimi drejt një ekonomie “cashless” do të zhvillohet gradualisht dhe në mënyrë të sigurt, duke sjellë përfitime afatgjata për qytetarët, bizneset dhe ekonominë.

ZËRI: Si do të sigurohet Banka e Shqipërisë që të dhënat personale të qytetarëve do të mbrohen gjatë procesit të kalimit në pagesa digjitale? A është kjo nismë e sigurt për sistemin financiar në Shqipëri?

Banka e Shqipërisë është institucion rregullator që në radhë të parë ka për qëllim sigurinë e sistemeve të pagesave dhe sigurinë e instrumenteve të pagesave. E thënë thjesht, BSh synon të balancojë dëshirën për të shfrytëzuar teknologjitë e reja për ofrimin e instrumenteve digjitalë të pagesave, me nevojën për të garantuar sigurinë e këtyre instrumenteve dhe mbrojtjen e konsumatorit. Duhet të kuptojmë që kalimi drejt pagesave digjitale është i paevitueshëm, pasi është kërkesë e vetë konsumatorit të përfitojë nga thjeshtësia, shpejtësia dhe efikasiteti i pagesave digjitale. Ky progress vjen me rreziqe të shtuara, të lidhura me mbrojtjen e të dhënave, mashtrimin, etj.. BSh ka forcuar kuadrin ligjor e rregullator që adreson këto rreziqe duke detyruar subjektet financiare të investojnë në krijimin e infrastrukturave moderne për shmangien dhe dedektimin në kohë të këtyre rreziqeve. Që me ligjin “Për shërbimet e pagesave”, ku kërkohen standarde për implementimin e masave të fortasigurie për të parandaluar mashtrimet dhe aksesin e paligjshëm; për përdorimin e enkriptimit, autentifikimit me shumë faktorë dhe monitorimit në kohë reale të transaksioneve, BSh ka adresuar disa aspekte tëkontrollit mbi sigurinë e pagesave digjitale. Ajo ka forcuar kërkesat për administrimin e rrezikut operacional të institucioneve financiare, përfshirë këtu mbrojtjen nga rreziku kibernetikë. Ky i fundit ka marrë një rëndësi të veçantë në kohët e fundit, në nivel global dhe kombëtar. Së fundmi, BSh është duke rishikuar kuadrin rregullatori cili do të adoptojë standardet më të fundit të Bashkimit Evropian për forcimin e qëndrueshmërinë digjitale të subjekteve financiare (e njohur si rregullorja DORA). Ky kuadër siguron që subjektet financiare të jenë në gjendje të përballojnë, t’I përgjigjen dhe të rimëkëmben nga ndërprerjet në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, si p.sh. sulmet kibernetike apo dështimet esistemeve. Ligji i miratuar së fundmi “Për mbrojtjen e të dhënave personale” (i harmonizuar me rregulloren e BE “Për mbrojtjen e të dhënave personale- GDPR) gjithashtu zbaton kritere të rrepta për ofruesit e shërbimeve të pagesave që përpunojnë të dhënat personale të qytetarëve. Në rastin e pagesave digjitale, përpunuesit e pagesave janë të detyruar të sigurojnë që informacioni financiar apo personal i përdoruesve të përpunohet në mënyrë të sigurt dhe transparente, si dhe të marrin pëlqimin e qartë të tyre përpara se t’i mbledhin këto të dhëna. Këto të dhëna duhet të ruhet në mënyrë të sigurt dhe të enkriptohen, si dhe vendos ndëshkime për shkeljet. Evolimi i teknologjisë dhe teknikave për ndërhyrje të paautorizuara në zinxhirin e pagesave digjitale, nuk duhet të dekurajojnë përdorimin e pagesave digjitale. Standardet dhe teknologjia për parandalimine këtyre ndërhyrjeve evolojnë gjithashtu. Kuadri rregullator për mbikëqyrjen e përdorimit të pagesave digjitale është në përditësim të vazhdueshëm, i pritur për të qenë konservator në drejtim të lejimit të inovacioneve të pakontrolluara, dhe në favor të mbrojtjes së konsumatorit.

ZËRI: Sa e rëndësishme është për bankat dhe qeverinë të investojnë në infrastrukturën bankare për këtë vizion?

BSH: Banka e Shqipërisë vlerëson se investimet në infrastrukturën bankare dhe atë të pagesave janë thelbësore për realizimin e vizionit të një ekonomie pa para fizike (“cashless”). Ky proces kërkonpërpjekje të përbashkëta dhe të koordinuara si nga bankat, ashtu edhe nga qeveria. Nga njëra anë, bankat kanë përgjegjësinë të modernizojnë dhe zgjerojnë infrastrukturën teknologjike, të ofrojnë instrumente pagesash më të lira, më të shpejta dhe më të sigurta, si dhe të rrisin praninë e tyre në treg përmes shërbimeve digjitale të aksesueshme për qytetarët dhe bizneset. Nga ana tjetër, qeveria ka një rol kyç në krijimin e kushteve lehtësuese, përfshirë stimulimin e përdorimit të pagesave elektronike, uljen e informalitetit, si dhe garantimin e një kuadri ligjor dhe fiskal që nxit përdorimin e instrumenteve jo–cash. Vetëm përmes një partneriteti të ngushtë ndërmjet qeverisë dhe sektorit bankar, shoqëruar me edukim financiar dhe digjital për publikun, mund të sigurohet një tranzicion gradual, i sigurt dhe gjithëpërfshirës drejt një ekonomie digjitale, me përfitime afatgjata për të gjithë shoqërinë.

ZËRI: A është e mundur që në Shqipërinë e vitit 2030, ky vizion të jetë realitet i prekshëm për ekonominë e vendit ashtu edhe për qytetarët e Republikës së Shqipërisë?

BSH:Kalimi drejt pagesave elektronike është një realitet i mundshëm dhe i pashmangshëm. Është e dukshme se industria e pagesave po përjeton një revolucion të paprecedentë. Jemi dëshmitarë të rritjes së shpejtë të pagesave përmes celularëve dhe tani dëgjojmë për pagesa që përdorin teknologjinë blockchain, inteligjencën artificiale dhe financat e hapura. Këto zhvillime po ndryshojnë mënyrën sesi mendojmë qasjen në pagesa dhe aksesin në shërbimet financiare. Natyrshëm, me hapjen e kufijve dhe në fazat integruese ku ndodhemi, qytetarët shqiptarë po ambientohen gjithnjë e më tepër me këto risi dhe po kuptojnë përfitimet që sjell digjitalizimi, veçanërisht shtresat më të reja të popullsisë. Në këtë prizëm, themi që kalimi drejt pagesave digjitale është një proces i natyrshëm.

Kalimi drejt pagesave digjitale, dhe rrjedhimisht ulja e përdorimit të cash-it, është një proces I dëshiruar për ekonominë shqiptare për disa arsye. Ai rrit formalizimin e ekonomisë; ul evazionin fiskal; përmirëson sigurinë fizike të pagesave dhe ul koston e mbajtjes së cash-it; nxit përfshirjen financiare, dhe jo më pak e rëndësishme, mbështet integrimin evropian.

Përshpejtimi i këtij procesi kërkon dhe përmbushjen e disa kushteve: krijimin e infrastrukturave të përshtatshme, aksesin me kosto të arsyeshme tek pagesat digjitale; krijimin e një kuadri rregullator të qartë dhe të rreptë për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorit; rritjen e njohurive financiare të publikut; rritjen e aftësive teknologjike të publikut dhe një ndërgjegjësim për avantazhet dhe rreziqet e përdorimit të pagesave digjitale.

Banka e Shqipërisë dhe autoritetet e lidhura synojnë të përshpejtojnë këtë proces në mënyrë të kontrolluar, nëpërmjet koordinimit si me autoritet publike, ashtu edhe me subjektet private ofrues të shërbimeve të pagesave. Shqipëria e 2030 do të jetë një realitet shumë i ndryshëm nga ky i sotmi përsa i përket pagesave digjitale.

Duhet të kuptojmë që nuk bëhet fjalë për elemininim total dhe përfundimtar të cash-it. Vende të përparuara, të cilat kanë një eksperiencë më të gjatë me pagesat digjitale dhe një shkallë disafish më lartë të përdorimit të tyre, këshillojnë vijimin e përdorimit të parasë fizike si një mjet pagese të

qëndrueshëm dhe i besueshëm, veçanërisht gjatë krizave. Paraja fizike duhet të jetë funksionale si mjet alternativ kur sistemet elektronike të pagesave ndërpriten për shkak të mungesës së energjisë elektrike, dështimeve të internetit, problemeve me softuerin apo ngjarjeve të tjera. Katastrofat natyrore dhe tensionet gjeopolitike të fundit kanë theksuar urgjencën për të siguruar që paraja në dorë të vazhdojë të qarkullojë, në mënyrë që të mbështetet besimi dhe stabiliteti ekonomik gjatë episodeve të krizës. Paraja në dorë mund të plotësojë nevojat kritike të publikut, të cilat alternativat nuk mund t’I zëvendësojnë plotësisht./ZËRI

Poll

MOS HUMB