Energji & Mjedis

Studimi: Vrima e ozonit nuk po rikuperohet, po thellohet! (Shkaku)

Në një studim të ri të botuar të martën, disa shkencëtarë pretendojnë se ajo mund të mos rikuperohet fare dhe se vrima madje mund të zgjerohet.

k.m.
Studimi: Vrima e ozonit nuk po rikuperohet, po thellohet! (Shkaku)
Foto ilustruese

SHBA- Rimëkëmbja e shtresës së ozonit – e cila mbron planetin nga rrezatimi ultravjollcë – është cilësuar si një nga arritjet më të mëdha mjedisore në botë. Por në një studim të ri të botuar të martën, disa shkencëtarë pretendojnë se ajo mund të mos rikuperohet fare dhe se vrima madje mund të zgjerohet.

Gjetjet janë në mospajtim me vlerësimet e pranuara gjerësisht lidhur me statusin e shtresës së ozonit, duke përfshirë një studim të fundit të mbështetur nga OKB-ja që tregoi se ajo do të kthehej në nivelet e viteve 1980 në vitin 2040. Në vitin 1987, disa vende ranë dakord të ndalonin përdorimin e më shumë se 100 kimikateve që shkatërrojnë ozonin që kishin shkaktuar një "vrimë" në shtresën mbi Antarktidë. Pakësimi i atribuohet kryesisht përdorimit të klorofluorokarboneve ose CFC-ve, të cilat ishin të zakonshme në spërkatjet me aerosol, tretësit dhe ftohësit.

Ky ndalim, i rënë dakord sipas Protokollit të Montrealit, konsiderohet gjerësisht se ka qenë efektiv në ndihmën e rimëkëmbjes së shtresës së ozonit. Por vrima, arriti madhësi rekord në 2020-2022, duke nxitur shkencëtarët në Zelandën e Re të hetojnë shkaqet.

Në një punim të botuar nga Nature Communications, ata zbuluan se nivelet e ozonit janë ulur me 26% që nga viti 2004.

“Kjo do të thotë se vrima jo vetëm që ka mbetur e madhe në sipërfaqe, por është bërë edhe më e thellë [dmth. ka më pak ozon] përgjatë pjesës më të madhe të pranverës së Antarktikut,”-tha Hannah Kessenich, një studente doktorature në Universitetin e Otagos dhe autore kryesore e studim.

Për të arritur në këtë përfundim, shkencëtarët analizuan sjelljen e shtresës së ozonit nga shtatori në nëntor duke përdorur një instrument satelitor. Ata përdorën të dhëna historike për të krahasuar atë sjellje dhe ndryshimin e niveleve të ozonit dhe për të matur shenjat e rikuperimit të ozonit. Më pas, ata u përpoqën të identifikonin se çfarë i nxiste këto ndryshime.

Ata zbuluan se varfërimi i ozonit dhe thellimi i vrimës ishin rezultat i ndryshimeve në vorbullën polare të Antarktidës, një rrotullim i madh i presionit të ulët dhe ajrit shumë të ftohtë, lart mbi Polin e Jugut. Autorët e studimit nuk shkuan më tej për të eksploruar se çfarë po i shkaktonte ato ndryshime, por ata pranuan se shumë faktorë mund të kontribuojnë gjithashtu në varfërimin e ozonit, duke përfshirë ndotjen e ngrohjes së planetit; grimca të vogla të ajrit që emetohen nga zjarret dhe vullkanet; dhe ndryshimet në ciklin diellor.

“Gjithsej, gjetjet tona tregojnë se vrimat e fundit, të mëdha të ozonit mund të mos shkaktohen vetëm nga CFC-të. Pra, ndërsa Protokolli i Montrealit ka qenë padiskutim i suksesshëm në reduktimin e CFC-ve me kalimin e kohës dhe parandalimin e katastrofës mjedisore, por vrimat e fundit të vazhdueshme të ozonit në Antarktidë duket se janë të lidhura ngushtë me ndryshimet në dinamikën atmosferike,”- tha Kessenich./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB