Energji & Mjedis

Mediat gjermane i japin zë ndotjes në Vjosë: Katastrofë në Parkun Kombëtar të lumit të egër në Shqipëri

ARD shton se në fund të lumit funksionon një hidrocentral dhe një digë e vjetër, duke rrezikuar habitatin e mbrojtur dhe duke shkelur premtimin për një park kombëtar të ruajtur.

F.I
Mediat gjermane i japin zë ndotjes në Vjosë: Katastrofë
PAMJE NGA NGJARJA

VJOSË-ZËRI ka raportuar prej fillimit skandalin mjedisor në lumin Vjosa, në Shqipëri, ku impiantet e naftës dhe asfaltit në nënpronësi po rrjedhin naftë në kufijtë e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, duke dëmtuar shëndetin e lumit. Së fundmi edhe Televizioni publik gjerman, ARD, ka sjellë në vëmendje rastin, duke publikuar një kronikë me titull “Skandal mjedisor në parkun kombëtar të lumit të egër në Shqipëri”, ku evidenton ndotjen alarmante nga nafta dhe nënproduktet e saj.

Gazetarët gjermanë në shoqërinë e aktivistit Ulrich Eichelmann janë angazhuar të vizitojnë nga afër vendin, duke evidentuar dëmet në parkun kombëtar të Vjosës. Ata raportojnë se infrastruktura e kompanisë 'Albpetrol' është e vjetruar dhe rrjedhjet e naftës janë të shumta. ARD shton se në fund të lumit funksionon një hidrocentral dhe një digë e vjetër, duke rrezikuar habitatin e mbrojtur dhe duke shkelur premtimin për një park kombëtar të ruajtur.

“Shpallja e lumit Vjosa si Park Kombëtar është fitore për mbrojtjen e natyrës, Parku i parë kombëtar i një lumi të egër në Europe. Është shtëpi e shumë specieve të rrezikuara. Megjithatë, nuk është aq e paprekur sa ç'duket. Pompat janë të vjetra, situata është katastrofike. Nafta rrjedh kudo. Ky është një iriq që ka ngordhur. Më pak se 1 km me tutje shihet derdhja e naftës në lum. Para pak javesh është bërë një pastrim nga kompania Albpetrol por kjo është e pamjaftueshme. Për më tepër, në rrjedhen e Vjosës është aktivizuar edhe një HEC, i cili ndryshon rrjedhën,” shprehen ekologjistët.

Pas raportimeve në Shqipëri, kompania 'Albpetrol' në një deklaratë zyrtare u shpreh se vendburimi i Gorisht-Koculit, është një vendburim 60-vjeçar, i cili ka prodhuar mbetje. Sipas “Albpetrol”, deri para pak vitesh mbetjet nuk janë trajtuar dhe se ata po e zvogëlojnë çdo vit sasinë e mbetjeve të trashëguara. Megjithatë, kompania shton se kjo njollë aktivizohet në temperatura të larta, pasi gjatë pjesës tjetër të vitit, nuk ka rrjedhje të këtyre mbetjeve.

ZËRI i shkoi edhe më tej, duke mos u ndalur vetëm tek kompania 'Albpetrol'. Prapa këtij shkatërrimi barbar është një kompani e vjetër në shfrytëzimin e minierave të bitiumit në Selenicë. Bëhet fjalë për subjektin  “Selenica Bitum sha”, që sipas verifikimeve të ZËRI është në pronësi të Ardita Duçellarit dhe administrim të Ergest Duçellarit.

Fillimi i shfrytëzimit të vendburimit të bitiumit ka nisur në vitin 1870, kur për herë të parë koncesioni iu dha një shoqërie angleze. Më pas vendburimi i kaloi në dorë francezëve të cilët e kanë kaluar në disa duar. “ZËRI” u përpoq disa herë të komunikonte me zyrtarët e kësaj kompanie, por pa sukses. Pyetjet se përse për vite me radhë “Selenicë Bitumi sha” ka derdhur mbetjet në shtratin e lumit Vjosa dhe kush ia ka lejuar, mbeten ende pa një përgjigje.

Poll

MOS HUMB