
VJOSË- Ulrich Eichelmann, CEO i "River Watch" e gjeti veten të habitur kur pa se brenda 10 vitesh shtrati i lumit Vjosa, i kurorëzuar si ‘zemra e egër blu’ e Evropës është shkatërruar pasi minierat e bitiumit depozitojnë në shtratin e lumit, atje ku dikur kanë qenë plazhet, tonelata me mbetje.
Balta e bardhë, karakteristike e Vjosës rrezikon të zhduket e bashkë me të edhe ekosistemet që jetojnë në të.
"A e shihni baltën e bardhë? Ky është fundi origjinal, shtrati i lumit Vjosa. Atje ishin plazhet si 10 vjet më parë. Dhe pastaj ata e vendosën këtë shtresë sipër tij. Dhe një nga ndotësit kryesorë që përballemi edhe këtu. Është një depo për një zonë të afërt të minierave të asfaltit. Ata vendosin miliona ton këtu dhe e depozitojnë atë përgjatë brigjeve dhe në ish-fushat e përmbytjes së Vjosës, të cilat ishin plazhet e Selenicës ku njerëzit kalonin kohën duke notuar.”-shpjegoi ai në një video të publikuar gjerësisht në mediat shqiptare disa javë më parë.
Por në përsëritjen tashmë klasike të problemeve tona shqiptare, pa u mbushur 24 orë, denoncimi u harrua.
Bashkë me të edhe përgjegjësit e shkatërrimit të një prej dhuratave më të çmuara që natyra i ka falur Shqipërisë dhe kontinentit evropian.
Por le të shkojmë më tej. Prapa këtij shkatërrimi barbar është një kompani e vjetër në shfrytëzimin e minierave të bitiumit në Selenicë. Bëhet fjalë për subjektin “Selenica Bitum sha”, që sipas verifikimeve të ZËRI është në pronësi të Ardita Duçellarit dhe administrim të Ergest Duçellarit.
Fillimi i shfrytëzimit të vendburimit të bitiumit ka nisur në vitin 1870, kur për herë të parë koncesioni iu dha një shoqërie angleze. Më pas vendburimi i kalooi në dorë francezëve të cilët e kanë kaluar në disa duar. Në vitin 1996 70% e aksioneve i kaluan VEFA ndërsa në 2001, kompania i kaloi sërish francezëve të cilët themeluan në Shqipëri kompaninë “Selenicë Bitumi sha”, pronësi e biznesmenëve të sipërpërmendur.
“ZËRI” u përpoq disa herë të komunikonte me zyrtarët e kësaj kompanie, por pa sukses. I vetmi që hapi telefonin ishte ish-administratori francez P.P, i cili deklaroi se “ishte larguar nga Shqipëria në vitin 2022 dhe kompania ishte në dorë të shqiptarëve”.
Por përse për vite me radhë “Selenicë Bitumi sha” ka derdhur mbetjet në shtratin e lumit Vjosa? Kush ia ka lejuar?
Si mund të shkatërrohet shtrati i një pasurie kombëtare për përfitime të një kompanie private? /ZËRI