
TIRANË-Shqipëria është kthyer në një destinacion turistik me interes për t’u reklamuar nga agjencitë e huaja, të cilat kanë përfshirë paketa të posaçme, që nisin nga disa qindra euro në disa mijë euro, në varësi të kohëzgjatjes dhe shërbimeve të përfshira. Disa nga tregjet aktive ku ofrohen paketa kulturore, por edhe mundësi për pushime vere mbeten tregu britanik, ai italian, izraelit, por edhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Tashmë nuk ka më vetëm një pikë të lakmuar që duhet vizituar me patjetër, Shqipëria reklamohet nga Jugu në Veri si një vend që ka shumë për të ofruar, nga natyra te kultura.
Shqipëria ka hyrë në hartën e vendeve që po marketohen më shpesh nga agjencitë ndërkombëtare me paketa turistike.
Dikur këto paketa e përfshinin vendin tonë si pjesë të tureve rajonale, kryesisht Ballkani, por promovimi ndërkombëtar dhe vëmendja e fituar në mediat e huaja dhe rrjetet sociale kanë bërë që tashmë edhe i vetëm, si destinacion, të jetë tërheqës.
Por sa kushtojnë paketat turistike që synojnë të joshin turistët e huaj nga tregje të ndryshme të zgjedhin Shqipërinë?
Nga turi 11-ditor në pikat më të veçanta tek Alpet, si po joshen anglezët
Explore.co.uk ka në faqen e saj shtatë paketa turistike që synojnë të tërheqin turistët britanikë drejt Shqipërisë. Me çmimin që varion mes 1100-1500 paund, oferta është e larmishme.
Paketa më e parapëlqyer dhe me më shumë vlerësime nga përvojat e individëve duket se është ajo që quhet “Më të veçantat e Shqipërisë” apo “Higlights Albania”, me çmim që aktualisht është 1249 euro.
Kjo paketë përfshin një tur 11-ditor në vendin tonë.
Klientëve u bëhet e qartë që fluturimi nuk është i përfshirë në këtë çmim dhe ai duhet të paguhet më vete. Të përfshira në turin 11-ditor janë netët në hotel, 10 mëngjese, 2 darka, transporti nga njëri destinacion në tjetrin, një guidë e turit.
Vendet që vizitohen janë: Tirana në ditën e parë, teleferiku dhe Dajti në ditën e dytë dhe sërish shëtitje në qytet. Elbasani dhe një vizitë në Ohër, në ditën e tretë. Korça dhe Voskopoja në ditën e katërt.
Në të pestën, Gjirokastra dhe Bënja. Dita e gjashtë, një drekë në Dhoksat në Gjirokastër. Ditën e shtatë, eksplorimi i Butrintit. Në ditën e tetë, Fortesa e Ali Pashës dhe më pas Parku i Llogorasë.
Në ditën nëntë vizitohet Apolonia dhe Vlora në rrugën drejt Beratit.
Në ditën e dhjetë, vizitë në Berat dhe më pas në Durrës. Dita e fundit është një ndalesë në Krujë.
Paketat e tjera të ngjashme janë ato të posaçme për familje, një tjetër për të vizituar Alpet e Shqipërisë, një për shtigjet në pjesën bregdetare, si dhe një për çiklistë.
Më e shtrenjta ndër të gjitha është ajo e turit rajonal “Ballkani i Pazbuluar”, me çmim 2195 paund dhe që me zbritje shitet momentalisht 1945 paund.
Ky tur përfshin Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me një total prej 14 ditësh ku gjithsesi sërish ardhja dhe largimi është nga Tirana.
Italianët vizitojnë vendin e “Shqiponjave”, paketat nisin nga 3 mijë euro
Italianët janë grupi me rritjen më të qëndrueshme duke zënë vendin e dytë pas Kosovës për hyrjen e shtetasve të huaj.
Afërsia gjeografike dhe mënyrat e larmishme të transportit mes dy vendeve, ku sidomos hyrja e linjave low cost dhe numrit të destinacioneve që mbulohen përmes tyre, ka bërë që italianët të kthehen në vizitorë gjithëvjetorë.
Pavarësisht se shumica zgjedhin të vijnë për fundjava në mënyrë individuale, apo edhe për pushime më të gjata, ofertat e Shqipërisë si një paketë për pushuesit italianë nuk mungojnë.
Në faqen e alpitour.it bien në sy disa të tilla që mundësohen në bashkëpunim.
Një prej tyre është “Tur në vendin e Shqiponjave”. “Një tokë e pasur me histori dhe bukuri, një itinerar klasik që prek vendet kryesore me interes, midis detit, maleve dhe siteve arkeologjike, dëshmi të së kaluarës.
Nga Tirana, kryeqyteti modern simbol i Shqipërisë së re, në Sarandë, një qytet turistik i gjallë, i përqafuar nga ujërat kristalore të Detit Jon, me peizazhet bregdetare me bukuri të rrallë dhe qyteteve të mrekullueshme që janë vende të trashëgimisë kulturore të UNESCO-s”, shkruhet në përshkrimin e paketës që llogaritet në 3630 euro për dy persona, ku përfshihen hoteli, fluturimi dhe vaktet.
Kjo ofertë përfshin një tur 8-ditor që nis nga Tirana, vazhdon në Krujë dhe në Shkodër më pas në Apoloni dhe në Vlorë, për të vijuar në Porto Palermo e Sarandë.
Në ditën e pestë vizitohen Butrinti dheKsamili, me qëndrim sërish në Sarandë, për të vizituar të nesërmen Syrin Blu, më pas në Gjirokastër e në Berat.
Në ditën e tetë pas Beratit, zhvendosja është në Durrës e më pas në Tiranë.
Izraeli rikthehet “i organizuar”, në kërkim të pushimeve verore të përballueshme
Këtë vit, linja ajrore izraelite “Sun d’Or”, pjesë e “EL AL Group” nisi me fluturimet 5 herë në javë drejt Shqipërisë duke iu përgjigjur kërkesës në rritje për destinacionin, me qëllim pushime verore më ekonomike.
Në “The Jerusalem Post”, CEO i kësaj linje, Gal Gershon, tha në fillim të qershorit se kërkesa është e lartë. “Jemi të kujdesshëm ndaj kërkesës së lartë dhe të lumtur që ofrojmë fluturime 5 herë në javë në Tiranë.
Këtë verë nisëm fluturimet direkte në Shqipëri për herë të parë dhe ky do të jetë hiti i verës 2025” tha ai. Shqipëria, në këndvështrimin e kësaj linje, ofron plazhe magjepsëse, natyrë dhe ushqim të mirë dhe çmime të përballueshme.
Në faqen myholidays.com, ku ofrohen paketa për vende të ndryshme, paraqiten edhe ato nga Izraeli drejt Shqipërisë. Një opsion është një tur 4-ditor me çmim 77 mijë lekë personi, ku përfshihet eksplorimi i Tiranës në ditën e parë.
Në ditën e dytë eksplorimi i bregdetit të Vlorës.
Në ditën e tretë, vizitë në Gjirokastër dhe në ditën e katërt, Jugu me plazhe si Dhërmiu apo peizazhet në Llogora.
Një tjetër paketë më e gjatë përfshin 5 net qëndrim, me kosto 124 mijë lekë, që ngjashëm si ajo më sipër përfshin edhe destinacione si Saranda e Butrinti apo ndalesa më të shumta në Jugun e vendit.
Francezët, drejt detit “të lirë” dhe tureve kulturore në Shqipëri
Një nga tregjet që po tregon rritje të shpejtë në Shqipëri, sidomos e dukshme këtë vit, sikurse kanë konfirmuar operatorët turistikë, është ai francez. Ata vijnë të organizuar në ture kulturore apo edhe individualë falë linjave low cost që operojnë nga Tirana në disa qytete kryesore në Francë.
Agjencitë që ofrojnë paketa për Shqipërinë në Francë janë të shumta, por në këtë rast përzgjodhëm leclercvoyages.com, e njohur për paketa ekonomike.
Ajo që bie në sy në faqe është një numër i madh strukturash akomoduese të listuara në të me ofertën “të gjitha të përfshira”.
Janë kryesisht struktura që ndodhen në Gjirin e Lalëzit, në Durrës apo në Golem. Konkretisht, për një nga strukturat me katër yje me të gjitha të përfshira në Durrës, oferta është 605 euro personi, që përfshin qëndrimin për 5 net, por edhe fluturimin.
Nisjet bëhen nga qytete të ndryshme si Paris, Nisë, Lion, Tuluzë, Strasburg, Marsejë.
Për akomodim në një strukturë të kategorizuar si një gjysmë pensioni (fjetje dhe një ose dy vakte) po në Durrës, oferta nis nga 194 euro. Opsionet janë të shumta, sipas strukturës së listuar.
Bien në sy edhe paketa turistike të organizuara. Konkretisht një prej tyre është “Circuit Étonnants Trésors d’Albanie” (Tur i Thesareve të Mrekullueshme të Shqipërisë), e cila parashikon 7 net, në një program të përcaktuar, që bëhet aktive nga korriku i këtij viti, me çmime që nisin mbi 1 mijë euro.
Paketa parashikon nisjen nga Franca dhe mbërritjen në Tiranë, me akomodim në Durrës. Ditën e dytë parashikohen vizita në Krujë dhe në Muzeun e Skënderbeut.
Në ditën e tretë, udhëtimi përfshin Gjirokastrën dhe Kalanë e saj dhe kthimin sërish në hotel në Durrës.
Ditën e katërt përfshihet Tirana dhe vizita në BunkArt. Dita e pestë ka në fokus Durrësin, kurse e gjashta Beratin dhe vizitën në Muzeun Onufri.
Në ditën e shtatë qëndrimi është sërish në Durrës për t’u rikthyer më pas drejt Francës në ditën e tetë.
Dubai zbulon Shqipërinë në paketa 4-ditore, vëmendja vetëm te Tirana
Vizitorët nga vende si Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë në numra të lëkundur. Pas një rritjeje në vitin 2022 pas pandemisë duket se ky treg pësoi një lloj luhatjeje edhe për shkak se Shqipëria nuk ofron disa shërbime specifike që kërkohen nga këto tregje, kryesisht e lidhur me ushqimin.
Gjithsesi ofertat për të vizituar vendin tonë nga agjenci të ndryshme në këto vende nuk kanë munguar, por fokusi është Tirana që duket se i ka më të zhvilluara shërbimet.
E marketuar nga Sharaftravel, me qendër në Dubai, një paketë për Shqipërinë përfshin një tur 3 net në Tiranë, me çmim 3099 AED apo rreth 740 euro.
Itinerari i shpjeguar nga agjencia parashikon që ditën e parë të mbërritjes në Tiranë të jetë një natë e lirë ku klientët të shëtisin të vetëm qytetin.
Në ditën e dytë parashikohet një tur në qytet me guidë, ku vizitohen pika të ndryshme të qytetit si Bulevardi me ndërtesat italiane, Galeria, Teatri i Operës, Monumenti i Skënderbeut, Xhamia e Et’hem Beut, Kulla e Sahatit.
Në ditën e tretë sërish në Tiranë vizitorët lihen të lirë për të ndjekur aktiviteteve të pavarura me interes për ta.
Dita e katërt është kthimi në vendin e tyre. Paketa përfshin fluturimet, tre net akomodim në një hotel me katër yje, mëngjes, sigurimin e shëndetit, si dhe transporti nga dhe për në aeroport.
Gjermanët, eksplorim nga Veriu në Jug në ture të gjata kulturore
Gjermanët janë një treg që tradicionalisht viteve të fundit kanë treguar interes për turet kulturore dhe duket se promovimi edhe më i gjerë i Shqipërisë turistike ka rritur interesin tek ta edhe për eksplorim individual gjithëvjetor.
Agjencitë që reklamojnë Shqipërinë, si një paketë turistike, janë të shumta, qoftë për turizmin e detit dhe rërës, qoftë për kulturën, natyrën apo gastronominë.
Këtë herë ne morëm për bazë një paketë relativisht të gjatë të shtrirë në 8 ditë me fokus një tur kulturor nga Veriu në Jug. Tourradar.de paraqet paketën “Më e mira e eksplorimit në Shqipëri” me çmim 1155 euro personi, që përfshin një tur të gjatë në disa qytete kyçe në vend.
Itinerari i shpjeguar parashikon në ditën e parë mbërritjen në Tiranë dhe vizitën në disa prej pikave kryesore të kryeqytetit.
Në ditën e dytë, vizita zhvendoset në Krujë dhe më pas sërish në Tiranë. Në ditën e tretë përfshihen vizita në qytetet e Lezhës dhe të Shkodrës. Në ditën e katërt, Durrësi dhe Berati që nënvizohet se është pjesë e UNESCO.
Në ditën e pestë turistët vizitojnë Ardenicën, Apoloninë dhe Vlorën.
Më pas në ditën tjetër, vizitohet Himara, Ksamili, Butrinti me qëndrim në Sarandë. Në ditën e shtatë, në fokus është një vizitë te Syri Blu dhe Gjirokastra, ndërsa në ditën e tetë është kthimi. Shërbimet që përfshihen në këtë paketë janë akomodimi, guidat e udhëtimit, vaktet, transporti dhe disa shërbime shtesë.
Një tjetër paketë e tipit “road trip” parashikon vizita në kanione, zona malore dhe ujëra të kristaltë me 13 destinacione të përfshira, duke e ditur edhe preferencën që turistët gjermanë kanë për natyrën dhe turizmin e aventurës.
Çmimi për këtë paketë është 1829 euro personi për 11 ditë dhe përfshin Tiranën, Bogën, Thethin, Komanin, Shkodrën, Durrësin, Beratin, Sarandën dhe Gjirokastrën./Monitor