TIRANË-Konflikti në Lindjen e Mesme ka ndikuar në rritjen e çmimeve të disa produkteve edhe në vendin tonë. Në muajin prill inflacioni thotë INSTAT rezultoi në 2.8%, nga 2,3% qe ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Rritja vjetore e çmimeve në Prill 2026 u ndikua kryesisht nga grupi “Transporti” me 8,5 %, pasuar nga “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 4,7 %, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,1 %, “Argëtim, sport dhe kulturë” me 3,7 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi“ me 2,8 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 2,7 % secili, “Shërbimi arsimor” me 2,0 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,3 %, etj.
Ndërsa krahasuar me muajin Mars të këtij viti rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 1,0%, pasuar nga grupet “Argëtim, sport dhe kulturë” me 0,9%, “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 0,8%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,7%, “Restorante dhe shërbime akomodimi“me 0,5%.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) është matësi zyrtar i inflacionit në Shqipëri, Indeksi mat ndryshimet relative të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të përdorura nga familjet për konsum vetjak dhe llogaritet duke përdorur strukturën e konsumit final të familjeve shqiptare. Burimi kryesor i informacionit për shpenzimet është Anketa e Buxhetit të Familjeve./ZËRI