TIRANË-Numri i ndërmarrjeve aktive në Shqipëri vijoi të rritet në vitin 2025, por ritmet e zgjerimit nuk kanë qenë të njëjta në të gjitha bashkitë. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se harta ekonomike e Shqipërisë po bëhet gjithnjë e më e polarizuar.
Nga njëra anë qëndrojnë Tirana, Durrësi, Kamza, Lezha dhe zonat turistike të jugut, ku bizneset po shtohen me ritme të shpejta dhe në tjetrën bashkitë e vogla në juglindje, veri dhe zonat malore po përjetojnë tkurrje të aktivitetit ekonomik, duke reflektuar lëvizjen e popullsisë dhe kapitalit drejt zonave me potencial më të madh zhvillimi.
Sipas të dhënave Himara kryeson me një zgjerim prej 15.6% të numrit të bizneseve në vitin 2025 në krahasim me 2024. Numri i ndërmarrjeve aktive në këtë bashki arriti në 869 nga 752 që ishin në 2024.
Pas saj renditet Libohova me rritje vjetore 16%, megjithëse mbi një bazë shumë të vogël, ndërsa Saranda shënoi rritje prej 10.2%, me 290 biznese të reja neto brenda një viti.
Ecuria e këtyre bashkive lidhet kryesisht me zgjerimin e turizmit, investimet në akomodim, shërbime, bare, restorante dhe aktivitetet e lidhura me sektorin e turizmit. Vitet e fundit, sidomos në rivierën shqiptare, turizmi është kthyer në një nga motorët kryesorë të hapjes së bizneseve të reja.
Një tjetër grup me performancë të lartë janë bashkitë pranë Tiranës. Kamza regjistroi rritje prej 9.2%, duke shtuar 348 ndërmarrje aktive, ndërsa Shijaku dhe Lezha shënuan secila rritje prej 8.9%.
Këto zona po përfitojnë nga zgjerimi urban i kryeqytetit, kostot më të ulëta të tokës dhe magazinimit, si dhe zhvillimi i aktiviteteve logjistike, tregtare dhe të ndërtimit. Fenomeni i zhvendosjes së bizneseve drejt periferive është bërë gjithnjë e më i dukshëm vitet e fundit.
Megjithatë, Tirana mbetet qendra e ekonomisë shqiptare. Kryeqyteti shtoi 2,714 ndërmarrje aktive gjatë vitit 2025, ose gati një të tretën e të gjithë rritjes neto në vend, duke arritur në 58,634 biznese. Pas saj renditen Durrësi me 412 ndërmarrje të reja, Kamza me 348, Shkodra me 304, Saranda me 290 dhe Elbasani me 258.
Në anën tjetër të tabelës, 19 bashki (31% e tyre) regjistruan tkurrje të numrit të ndërmarrjeve aktive. Rënia më e madhe relative u shënua në Pustec, me 22.7%, por për shkak të numrit shumë të vogël të bizneseve ndikimi ekonomik mbetet i kufizuar.
Ndër bashkitë me peshë më të madhe ekonomike, Maliqi humbi 49 ndërmarrje aktive (-9.3%), Pogradeci 74 (-4.7%), Dropulli 17 (-8.5%), ndërsa Puka, Kolonja dhe Skrapari regjistruan gjithashtu tkurrje të ndjeshme.
Emigracioni dhe plakja e popullsisë po reduktojnë bazën e konsumatorëve dhe fuqinë punëtore në zonat më periferike. Bizneset e vogla në sektorët tradicionalë, si tregtia me pakicë dhe bujqësia, po përballen me vështirësi në gjetjen e punonjësve dhe në ruajtjen e rentabilitetit./Monitor