TIRANË- Conad Albania ka reaguar sot pas njoftimit të bërë dy ditë më parë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) për produktin “Salame Galbanetto”, me lot L.264173, duke mohuar se produkti ka qenë i disponueshëm për konsumatorët.
Në reagimin zyrtar, kompania sqaron se sasia prej 3.74 kilogramësh ishte izoluar në magazinën e saj dhe ishte bllokuar për asgjësim pesë ditë përpara se AKU të publikonte njoftimin për konsumatorët.
Conad ngre pikëpyetje mbi mënyrën e komunikimit të rastit nga AKU, duke argumentuar se njoftimi nuk ka bërë të ditur se produkti ishte tërhequr dhe nuk kishte dalë në treg.
Reagimi i Conad:
AKU KRIJON ALARM TË RREMË!
Produkti Salame Galbanetto – Loti L.264173 nuk ka dalë kurrë në shitje.
Sasia prej 3.74 kg ishte izoluar në magazinën e Conad Albania dhe ishte bllokuar për asgjësim 5 ditë përpara njoftimit të AKU-së.
Pse AKU bëri një njoftim kaq alarmues pa pasqyruar këto fakte?
AKU ALARMOI PUBLIKUN, POR NUK I THA PUBLIKUT TË VËRTETËN E PLOTË!
Dy ditë më parë, AKU ngriti alarmnn dhe njoftoi konsumatorët për produktin, se në sallamin që vinte nga Italia kishte trupa të huaj. Sipas AKU, raportimi për produktin ishte bërë nga autoritetet italiane, të cilat e kishin klasifikuar rastin si një rrezik serioz për shkak të pranisë së një trupi të huaj në produkt.
Njoftimi i AKU:
Në vijim të njoftimit të ardhur nga sistemi RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed) Njoftim informues për ndjekje të kategorisë Alert me temë: “Prani trupit të huaj në sallam”, njoftuar nga Italia, duke përbërë risk serioz për shëndetin, për të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje.
Të dhënat e produktit:
Numri i referencës: 12364615
Referenca: 2026.7652
Lloji i produktit: Ushqim
Kategoria e produktit: mish dhe nënprodukte
Emri i produktit: SALAME GALBANETTO G230 c.a (sallam Galbanetto)
LOT: L.264173
Datë skadence: 23/10/2026
Arsyeja e njoftimit: Kontroll zyrtar
Shteti njoftues: Italia
Niveli i Riskut: serioz
Lloji i operatorit paketues dhe eksportues: Conad
Lloji i operatorit importues: Conad Albania
Nga verifikimi në subjekt u konstatua se ishte gjendje e gjithë sasia prej 3,74 kg (16 copë) e produktit Salame Galbanetto G230(sallam Galbanetto) e importuar.
Produkti nuk është shpërndarë në pikat e shitjes, pasi subjekti është njoftuar më datë 30.8.2026 nga kompania eksportuese për problematikën e produktit.
E gjithë sasa e importuar u bllokua në magazinat e subjektit me destinacion asgjësimin e produktit
Pas njoftimit të AKU-së, nuk vonoi as reagimi i Conad Albania, e cila dha versionin e saj lidhur me produktin. Në reagimin fillestar, kompania sqaroi se kishte marrë njoftimin për produktin më 31 gusht dhe se ai ishte izoluar menjëherë, përpara se të vendosej në raftet e shitjes. Conad theksoi se pas publikimit të njoftimit nga AKU, kreu verifikimet përkatëse dhe konfirmoi se produkti nuk kishte dalë në treg. Sipas kompanisë, produkti nuk ishte shpërndarë dhe nuk ishte vendosur për shitje në asnjë prej pikave të saj.
/ZËRI