Ekonomi

Banka e Shqipërisë s'i heq përfundimisht liçencën MCA, vendimi: Ka shkelje, por ka reflektuar!

Pra, ekziston mundësia që “Micro Credit Albania” t’i rikhehet aktivitetit normal pavarësisht miëjra denoncimeve të bëra nga qytetarët, të cilët enden institucioneve pa marrë një zgjidhje.

F.m
Banka e Shqipërisë s'i heq përfundimisht
MCA dhe Gent Sejko

TIRANË- Banka e Shqipërisë ka vendosur të zgjasë edhe me 6 muaj të tjera pezullimin për subjektin financiar jobankë “Micro Credit Albania”, një vit pasi mori vendimin t’i pezullonte aktivitetin e kredidhënies. Kapital.al shkruan se deri më 30 qershor 2024, “Micro Credit Albania” nuk do të mund ta ushtrojë aktivitetin e saj për të dhënë kredi. Megjithatë, kjo nënkupton dhe faktin që pavarësisht shkeljeve të gjetura dhe që sollën marrjen e këtij vendimi, Banka e Shqipërisë nuk është bindur ende që t’ia heqë përfundimisht licensën këti institucioni financiar. Madje, pas një ekzaminimi tjetër të plotë të këtij subjekti, me qëllim vlerësimin e situatës pas masës së pezullimit 1-vjeçar të aktivitetit, Departamenti i Mbikëqyrjes pranë Bankës së Shqipërisë ka dalë në përfundimin se subjekti nuk ka blerë apo nuk ka aprovuar kredi të reja, por është angazhuar në rikuperimin e portofolit ekzistues.

“Ndër më kryesoret, Departamenti i Mbikëqyrjes ka vlerësuar: dhënien e informacionit të pasaktë dhe jo të plotë në raportime periodike, në regjistrin e kredive dhe gjatë ekzaminimit në vend, paraqitjen e pasaktë të gjendjes financiare, (mos)klasifikimin e klientëve sipas kërkesave rregullatore për rrezikun e kredisë, mangësi të elementeve të transparencës gjatë plotësimit të akt-marrëveshjeve me klientët, etj.

Pas këtyre konstatimeve, BSH ka vendosur të zgjasë edhe me 6 muaj të tjera pezullimin e ushtrimit të veprimtarisë së kredidhënies (përfshirë këtu edhe blerjen e kredive të reja, apo ristrukturimin e atyre ekzistuese), për të cilën është licencuar subjekti financiar jobankë “Micro Credit Albania” deri në datën 30.6.2024.

Sipas vendimit, gjatë kësaj periudhe, subjektit “Micro Credit Albania” i lejohet vetëm të shesë portofolin e kredive tek palë të treta, të licencuara nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar këtë aktivitet, të reflektojë menjëherë në ulje të detyrimit të klientit çdo pagesë të detyrimit nga ana e tij duke bërë dhe përditësimet përkatëse në Regjistrin e Kredive,”- thuhet në vendim.

Pra, ekziston mundësia që “Micro Credit Albania” t’i rikhehet aktivitetit normal pavarësisht miëjra denoncimeve të bëra nga qytetarët, të cilët enden institucioneve pa marrë një zgjidhje.

MCA është licencuar në vitin 2016.

Për shkelje serioze të kërkesave rregullative mbikëqyrëse Banka e Shqipërisë ka vendosur pezullimin e licencës e Micro Credit Albania në vitin 2023.

Pas një kontrolli në korrik të 2020 pranë subjektit, u evidentua se shoqëria financiare nuk ka zbatuar të gjitha masat administrative të vendosura nga Banka qendrore

Pas një kontrolli të dytë që u bë në vitin 2022, Departamenti i Mbikëqyrjes vuri re që masat ishin zbatuar pjesërisht, ndaj në vitin 2023 u mor vendimi për pezullimin e licensës.

Micro Credit Albania është themeluar në vitin 2014 dhe ka për administrator dy persona; Andis Gjoka, Elda Ibro. Anëtarë të bordit të MCA janë dhe tre persona të tjerë: Emilian Biçaku, Bledar Korkaj dhe Bledi Sena.

Micro Credit Albania njësoj si institucionet e tjera e nisi aktivitetin në kohën kur Banka e Shqipërisë përmes një ndryshimi u hapi rrugën shitjeve dhe blerjeve të kredive të këqija nga bankat e nivelit të dytë apo të institucioneve të tjera mikrofinanciare, me një çmim rreth 8 deri në 10 për qind të vlerës së detyrimit.

Të dhënat e përafërta tregojnë se gjatë këtyre viteve në Shqipëri janë shitur mbi 100 mijë kredi të këqija. Kapitali.al ka gjurmuar se të paktën 3 mijë prej tyre kanë përfunduar në ekzekutime tituj pronësish.

Pjesa dërrmuese e tyre janë kredi konsumatore me shuma të vogla detyrimi, por nga denoncimet e bëra nga qytetarët dhe raportimet e bëra nga ZËRI dhe Kapital, shumë qytetarëve u janë marrë prona me vlerë dhjetëra milionë lekë për një kredi të vogël konsumatore.

Por, përveç sekuestrimit të pronave, ka dhe raste kur u ofrojnë qytetarëve një marrëveshja që konsisiton në marrjen e një tjetër kredie me përqindje të lartë interesi, për të mbyllur borxhin e pashlyer. Por, këstet rriten dhe qytetarët e gjejnë veten të zhytur në një zinxhir borxhi që duket se nuk mbaron kurrë.

Përsa u përket pronave, ato nxirren në ankand për tre raunde dhe në rast se nuk paraqitet asnjë blerës, kalon në emër të Micro Credit Albania.

Ministria e Drejtësisë ka bërë një kallëzim në shkurt të vitit 2020, në kohën kur drejtohej nga Etilda Gjonaj. Gjonaj i nisi Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela listën me emrat e kompanive që operonin në fushën e mbledhjes së borxheve dhe kërkonte ndjekjen penale për veprën e mashtrimit me pasoja të rënda, shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të detyrës shtetërore për disa kompani, mes tyre dhe Micro Credit Albania.

Por, edhe pse kanë kaluar katër vite nga ky kallëzim, nuk është marrë asnjë masë veç pezullimit të një license. Qytetarët vuajnë pasojat e mashtrimit dhe mbeten pa prona, ndërsa Micro Credit Albania ka gjasa të rinisë aktivitetin e saj, pa u ballafaquar me asnjë nga akuzat e pretenduara!

Poll

MOS HUMB