
TIRANË- Kompania publike e menaxhimit të trafikut ajror, Albcontrol pretendon se i kanë humbur 2 ndërtesa. Po, po, 2 ndërtesa/godina. Dy objektet me numër pasurie 137/1 dhe 196/1, të cilat ishin në listën e aseteve të kompanisë dhe që sipas letrave ndodhen brenda territorit të aeroportit të Rinasit, tani nuk ekzistojnë më. Se ku kanë "shkuar" kjo ende nuk dihet. "Kapitali" shkruan se përgjigjen për mungesën e objekteve e kanë marrë nga Bashkia Krujë, që kanë konstatuar edhe mungesën.
“Shoqëria Albcontrol ka në pronësi dy ndërtesa brenda territorit të TIA-s. Bazuar në vendimin e asamblesë së aksionarit për përmirësimin/përditësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, Albcontrol i është drejtuar me shkresë Bashkisë Krujë për ekzistencën e dy objekteve të sipërcituara. Bashkia Krujë në përgjigjen e kthyer me Akt Verifikimin e datës 12 tetor 2022, ka konstatuar se dy objektet me sipërfaqe 111 dhe 238 metra nuk ekzistojnë dhe aktualisht janë parcela bosh,”-thuhet në raportin e audituesit ligjor për zvogëlimin e kapitalit të Albcontrol.
Denoncimi i radhës vjen në vazhdën e shkeljeve që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur shkelje në disa institucione shtetërore, përfshirë edhe fondin e Rezervave të Shtetit. Megjithatë ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga institucionet për ndëshkimin e shkeljeve./Zëri.ai