Ekonomi

Qeveria rishikon Buxhetin, Rindërtimi merr një pjesë të mirë të ‘tortës’. Ç'po ndodh me Amnistinë

Njësoj si kryeministri Rama, edhe ministri Mete nuk pranoi që të komentonte shumë nga pyetjet e gazetarëve

E.K
Qeveria rishikon Buxhetin, Rindërtimi merr një pjesë të
Ervin Mete

TIRANË- Qeveria ka rishikuar buxhetin për herë të parë për këtë vit. Të ardhurat edhe mbi pritshmëritë kanë bërë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të rishpërndajë rreth 46 miliardë lekë. Rreth 12 miliardë do të shkojnë për procesin e rindërtimit dhe 1.8 miliardë për naftën falas në bujqësi, bëri të ditur në një dalje për gazetarët minisitri Ervin Mete.

I pyetur nga gazetarët nëse qeveria ka hequr dorë nga Aministia fiskale, duke iu referuar lajmit për daljen e Shqipërisë nga zona gri e pastrimit të parave, Mete nuk pranoi që të komentonte dhe tha se nuk kishte asnjë të re në këtë drejtim.

"Puna për ta nxjerrë Shqipërinë nga zona gri po vazhdon, nuk është lajm që po punohet për këtë. Është detyrimi ynë dhe ka pasur një angazhim ndërinstitucional serioz për të arritur këtë dhe kur të arrihet do të jetë një lajm i mirë për të gjithë.

Amnistia fiskale ka qenë një iniciativë që siç është thënë edhe më parë do të diskutohet me partnerët. Nuk do të merren veprime që mund të bien ndesh me praktika të ngjashme që mund të jenë marrë në vende të tjera dhe unë nuk mund të them asgjë me tepër nga ajo çfarë është thënë më parë”, tha shkurtimisht Mete, ndërkohë që një tjetër pyetje ishte për aktin normative të qeverisë për ndërtimet pa leje, ku një pjesë e mirë e godinave të sekuestruara u janë kthyer pronarëve me vendim të gjykatës. Edhe për këtë temë, ministri i zgjedhur rishtas në krye të Financave nuk preferoi që të ndalej gjatë, duke e konsideruar një çështje në vazhdim.

“Ai është një proces në vazhdim, edhe për këtë çështje do kemi mundësi të tjera që të flasim në detaje”, tha Mete, i cili foli dhe për taksat që iu duhet të paguajnë personat e dypunësuar, edhe në rastet kur kanë një pagë minimale në të dyja vendet.

“Ajo që ju përmendni nuk është një taksë më vete, është deklarimi i të ardhurave vjetore, qasja që ju përmendni bazohet në një parim që të gjitha të ardhurave të përfshihen në një progresivitet. Ne së shpejti do të kalojmë buxhetin dhe do të kemi mundësi që të diskutojmë në komisione edhe për ndryshime të mundshme”, tha Mete. Ndërkohë që procesi i Rindërtimit pas tërmetit të 2019, vazhdon të marrë një pjesë të mirë të tortës publike, dhe nuk do të përfundojë as këtë vit fiskal.

“Besoj që fondi që kalon sot i jep një shtysë domethënëse, fondet që alokohen sot duhet të përfundojnë deri në fund të vitit. Edhe në Buxhetin e vitit të ardhshëm një pjesë fondesh do të shkojë për Rindërtimin. Ne duam që procesi të përmbyllet sa më shpejt prandaj edhe Rindërtimi ka qenë një zë i fuqishëm në të gjitha Buxhetet”, deklaroi më tej Mete./Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB