
TIRANË- Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet, duket se është një iniciativë që do të vihet shpejt në zbatim nga ana e qeverisë shqiptare. Në një konferencë të përbashkët me Autoritetin Monetar Financiar AMF, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, tha në fjalën e tij se së bashku me Bankën Botërore po punohet që të ketë një skemë kombëtare të sigurimit nga tërmetet. Sipas ministrit në 100 vitet e fundit Shqipëria është përballur me të paktën 10 tërmete me fuqinë mbi mesataren.
“Shqipëria edhe për shkak të pozicionit gjeografik është ndjeshëm e ekspozuar ndaj katastrofave, jemi ndër vendet më të rrezikuara nga tërmetet nëse shohim hartën. Ne po diskutojmë me Bankën Botërore, për një skemë të sigurimit të detyrueshëm, pasi sigurimi vullnetar është në shifra shumë të ulëta, 3 %.
Sfida jonë është që ky sigurim të jetë me kosto të përballueshme për qytetarët dhe të bazohet në standardet më të mira të menaxhimit të rrezikut. Shqipëria u përball në vitin 2019 me një tërmet me pasoja të rënda, me efekte shkatërrimtare dhe humbje jete.
Dëmet e shkaktuara u vlerësuan në rreth 1.1 miliardë euro, ose 7.5% e PBB-së. Nga këto, shoqëritë e sigurimit paguan rreth 40 milionë euro dëme për qytetarët dhe bizneset e dëmtuara. Tërmeti nxori në pah një tjetër aspekt, që sigurimi vullnetar i banesave është në nivele shumë të ulëta dhe në pjesën më të madhe i diktuar nga bankat për kreditë hipotekore”, u shpreh ministri Mete.
Duke iu referuar përfshirjes në sigurimin e detyrueshëm të tokës bujqësore, Mete tha se ai është një sektor tepër i rëndësishëm i ekonomisë dhe i ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike.
“Sigurimi i bujqësisë mund të ishte një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut që ndihmon fermerët të mbrohen nga humbjet financiare për shkak të fatkeqësive natyrore dhe kushteve klimatike. Ky sigurim është pak i zhvilluar në Shqipëri, ndaj ndarja e eksperiencave më të mira në këtë drejtim do të ishte e dobishme për një avancim sa më të mirëmenduar”, përfundoi ministri i Financave.
Pak kohë më parë qeveria publikoi një projektligj për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmeti, i cili u prit me rezerva nga qytetarët, pasi një skemë e tillë nuk zbatohet as në Japoni, e cila goditit në mënyrë periodike nga lëkundjet sizmike.
Në projektligj parashikohet që sigurimi i banesave banesave nga tërmetet zbatohet për llojet e mëposhtme të pronave të paluajtshme: banesa; seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi shitje, zyra apo për qëllime të ngjashme. Nuk zbatohet për ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër - kallami ose të ngjashme; ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.
Detyrimin për sigurimin nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, përfshirë banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin nga buxheti i tyre./Zëri.ai