TIRANË- Konfindustria, përmes një reagimi zyrtar, ka kërkuar nga qeveria ndërhyrje të menjëhershme për rregullimin e çmimeve të karburanteve në vend.
Sipas reagimit, kërkohet marrja e katër masave, pasi gjatë 10 ditëve të fundit të muajit korrik është shënuar një rritje e ndjeshme e çmimeve të naftës, gazit dhe benzinës.
Katër kërkesat që Konfindustria i drejton qeverisë:
1. Ulja me të paktën 15% e barrës së taksave mbi karburantet, me synim uljen e çmimit me pakicë me rreth 20 lekë/litër.
2. Rikrijimi i Bordit të Transparencës për karburantet, në mënyrë që çdo ulje e taksave të reflektohet te qytetarët dhe bizneset dhe jo të përfundojë te operatorët e tregut.
3. Kontroll i menjëhershëm i cilësisë së karburanteve në treg, për të verifikuar respektimin e standardeve dhe për të ndaluar qarkullimin e karburanteve jashtë normave të lejuara.
4. Ndërhyrje e institucioneve shtetërore dhe SPAK kundër kontrabandës së karburanteve, për të luftuar abuzimet dhe dëmet ndaj buxhetit të shtetit.
Konfindustria ngre gjithashtu shqetësimin për çmimet e larta të naftës në tregun shqiptar, duke deklaruar se ato kanë arritur në nivelet 2,15–2,20 euro/litër. Sipas organizatës, këto çmime janë ndjeshëm më të larta se në vendet e rajonit dhe në disa shtete të Bashkimit Evropian, duke rritur kostot për bizneset, industrinë dhe qytetarët.
Reagimi zyrtar i Konfindustrisë:
Kërkesa urgjente për çmimet e karburanteve
Konfindustria, duke marrë shkak nga rritja e fortë dhe e pajustifikuar e çmimeve të karburanteve gjatë 10-ditëshit të fundit të muajit korrik dhe në vazhdim, kërkon ndërhyrjen e menjëhershme rregullatore të qeverisë në katër drejtime.
Së pari, kërkohet një ulje me të paktën 15% e barrës së taksave mbi karburantet. Kjo masë duhet të ndikojë në një ulje prej të paktën 20 lekësh/litër të çmimeve me pakicë. Italia dhe Gjermania kanë zbatuar më herët ulje prej 15–20% të taksave mbi karburantet, me efekt të drejtpërdrejtë në treg.
Së dyti, kërkohet në të njëjtën kohë rikrijimi i Bordit të Transparencës, me qëllim që ulja e mundshme e taksave të përcillet e plotë te qytetarët dhe bizneset dhe jo te operatorët e karburanteve. Tregu i karburanteve në Shqipëri, sipas Konfindustrisë, është një treg tipik monopol dhe oligopol i përqendruar.
Së treti, kërkohet nga institucionet një kontroll i menjëhershëm i cilësisë së karburanteve që qarkullojnë në treg. Sipas Konfindustrisë, ka të dhëna se sasi të mëdha karburanti jashtë standardit Euro 3 janë hedhur në treg, me pasoja të rënda për shëndetin, mjedisin, automjetet dhe buxhetin e shtetit.
Së katërti, kërkohet ndërhyrja e jashtëzakonshme e institucioneve shtetërore dhe SPAK për luftën kundër kontrabandës së karburanteve, e cila, sipas organizatës, ka shkaktuar dëme prej qindra milionë eurosh në buxhetin e shtetit. Goditja e autoriteteve të Kosovës ndaj linjave të kontrabandës së tranzitit të karburanteve nga Shqipëria, të cilat rezultuan të mbushura me ujë në doganën kosovare, është një e dhënë shqetësuese.
Çmimet me pakicë të naftës në tregun vendas prej kohësh ndodhen në nivelet 2,15–2,20 euro/litër, ndjeshëm më të larta se në vendet e rajonit dhe në shumë shtete të Bashkimit Evropian. Sipas Konfindustrisë, kjo situatë sjell një goditje të fortë për industrinë, prodhimin vendas dhe qytetarët./ZËRI