Ekonomi

One rriti tarifat telefonike, qytetarët paguajnë rreth 30 euro më shumë në vit

Pas kësaj lëvizjeje nga ana e One Albania, të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se shpenzimi mesatar i qytetarëve për shërbimet telefonike është rritur me 42.1% brenda tre viteve, duke shtuar rreth 30 euro në faturën vjetore të çdo përdoruesi.

l.k
One rriti tarifat telefonike, qytetarët paguajnë rreth 30 euro më
foto ilustruese

TIRANË- Në fillim të muajit maj, kompania celulare One Albania njoftoi rritjen e tarifave për shërbimet telefonike. Sipas kompanisë, rritja e çmimeve do të jetë deri në 2.2%, bazuar në normën mesatare vjetore të inflacionit të publikuar nga INSTAT për vitin 2025.

Pas kësaj lëvizjeje nga ana e One Albania, të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se shpenzimi mesatar i qytetarëve për shërbimet telefonike është rritur me 42.1% brenda tre viteve, duke shtuar rreth 30 euro në faturën vjetore të çdo përdoruesi.

Më 27 korrik, Autoriteti i Konkurrencës vendosi masa ndaj dy operatorëve kryesorë celularë, Vodafone Albania dhe One Albania, pas përfundimit të hetimit të thelluar për tregun e shërbimeve celulare. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë hetimit u evidentuan rritje të përafërta të çmimeve, ngjashmëri mes paketave të ofruara, reduktim të ofertave me çmime më të ulëta, si dhe mungesë dokumentacioni të plotë për justifikimin e ndryshimeve tarifore.

Në bazë të vendimit, Vodafone Albania dhe One Albania duhet që brenda 90 ditësh të ofrojnë paketa më të favorshme për pensionistët dhe studentët e moshës 18–23 vjeç. Gjithashtu, konsumatorëve do t’u garantohet më shumë lehtësi për të kaluar në paketa më ekonomike dhe informim paraprak për çdo ndryshim të tarifave. Vendimi vjen pas shqetësimeve të vazhdueshme të konsumatorëve dhe synon të rrisë transparencën në treg, të zgjerojë mundësitë e zgjedhjes dhe të sigurojë tarifa më të përshtatshme për kategori të caktuara.

Ndërkohë, Shqipëria vijon të ketë koston më të lartë të internetit celular në raport me të ardhurat, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU), të referuara nga AKEP, kostoja mesatare e shportës mujore të internetit me brez të gjerë në vitin 2025 ishte 1.69% e të ardhurave mujore bruto (GNI)./ZËRI

Poll

MOS HUMB