TIRANË- Më 9 janar, qeveria shqiptare miratoi projektligjin e ri, të quajtur “Paketa e Maleve”. Ky projektligj ka si qëllim të nxisë zhvillimin ekonomik në zonat malorë të vendit. “Paketa e Maleve” u bë e ditur disa muaj më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se projektligji parashikon kriteret e kalimit të pronësisë shtetërore tek private kundrejt blerjes me një tarifë simbolike prej 1 euro. Sipas projektligjit, mes poseduesit jo pronar dhe qeverisë do të firmoset një kontrate shitjeje me kusht, ku pronari merr çertifikatën e pronësisë vetëm pasi realizon ndërtimin e planifikuar. Synohet përdorimi i tokës qoftë ‘pyll”, “kullotë” livadh për investime që zhvillojnë zonën. Deri më tani, kjo nismë ishte implementuar në zonat bregdetare, me qëllim ndërtimin e hoteleve dhe resorteve në pronat e shtetit.
Tashmë, kjo nismë do të implementohet edhe në male.
Projektligji i hartuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i jep të drejtën të gjithë "investitorëve strategjikë" që të aplikojnë për të blerë prona shtetërore me tarifën simbolike 1 euro, me kushtin e vetëm që të vërtetojnë se kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe të paraqesin një plan biznesi për ta zhvilluar.
Por jo në të gjitha pronat shtetërore ku ka një posedues faktik do të ketë shitje të pronës me qëllim ngritjen e një biznesi, pasi ka edhe kufizime. Këshilli i Ministrave do të miratojë zonat me përparësi zhvillimi dhe më pas do të jetë MEKI, ajo që do të krijojë një strukturë të posaçme që të bëhet inventarizimi për çdo zonë.
Qëllimi i ligjit
Sipas nenit të parë, qëllimi i ligjit është të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të zonave malore duke:
- Tërhequr investime për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
- Promovuar shfrytëzimin me eficiencë të burimeve natyrore dhe mbrojtjen e ekosistemeve.
- Përmirësuar kushtet e jetesës dhe krijuar vende pune.
- Mbështetur kalimin e pronësisë së pasurive shtetërore të përdorura nga privatët pa titull pronësie.
Pr/ligji parashikon kalimin e pronësisë mbi pasuritë shtetërore në këto zona, të poseduara pa titull pronësie prej subjekteve private, në funksion të zhvillimit të tyre, për ushtrimin e aktiviteteve ekonomike
Si do të funksionojë?
Ligji përcakton procedura specifike për shpalljen e zonave malore si "zona prioritare zhvillimi". Pas shpalljes, individët ose subjektet që zotërojnë pasuri shtetërore në këto zona pa titull pronësie mund të aplikojnë për njohjen si "posedues jopronarë". Këta posedues mund të blejnë pasurinë me një tarifë simbolike prej 1 euro, duke synuar t'i përdorin për investime që zhvillojnë zonën.
Cilat zona shpallen prioritare për zhvillim?
Për t'u shpallur një zonë si prioritare për zhvillim, duhet të argumentohet potenciali i saj ekonomik, industrial apo turistik. Për të përfituar si posedues, subjektet duhet të plotësojnë disa kritere, si:
-Posedim i vazhdueshëm mbi pasurinë e paluajtshme shtetërore për të paktën 10 vjet, duke e përdorur atë sikur të ishte ai pronari i saj.
-Pasuria të jetë shtetërore dhe jo publike e patjetërsueshme.
-Mosprani e të drejtave reale të palëve të treta mbi pronën.
“Subjekti paraqet dokumentacion provues ose që përcjell informacion për këtë posedim, nëse ka të tillë. Mungesa e dokumentacionit nuk pengon procedurën administrative për njohjen e tij si “posedues jopronar” dhe merret i mirëqenë deklarimi i subjektit për sa kohë nuk paraqiten prova nga të tretët për të kundërtën gjatë afishimit publik dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj. Për qëllime të këtij ligji, do të konsiderohen posedues jopronarë edhe ata persona fizikë që nuk e përdorin pasurinë, por vërtetojnë lidhjen e tyre me pasurinë, për të cilën nuk janë pajisur me titull pronësie, sipas legjislacionit në fuqi dhe kërkojnë ta zhvillojnë atë nëpërmjet një investimi”, thuhet në pikën ç të nenit 3 të këtij pr/ligji.
Si përcaktohet zona e zhvillimit?
Ministri përgjegjës për pushtetin vendor, me kërkesë të argumentuar të bashkisë kompetente, i propozon Këshillit të Ministrave shpalljen e territorit të bashkisë apo të pjesës malore të atij territori si zonë zhvillimi
Agjencia Shtetërore e Kadastrës fillon menjëherë procedurën e regjistrimit fillestar të zonave kadastrale, që përfshihen në zonën për zhvillim. Kur zona i është nënshtruar më parë regjistrimit fillestar, nëse është e nevojshme, ASHK-ja kryen procedurat për përmirësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, sipas të njëjtit legjislacion.
Rregullat dhe dokumentacioni për këtë proces do të përcaktohet brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij projektligji.
Procedurat e posaçme në zbatim të këtij ligji, zbatohen më 31 dhjetor 2028./ZËRI