TIRANË-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një konferenc për mediat mbi vendimmarrjen e politikës monetare për tremujorin e katërt të vitit 2025, bëri të ditur se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet gjatë gjysmës së dytë të vitit.
Sejko bëri me dije se norma e inflacionit ka pësuar një rënie të lehtë gjatë tremujorit të tretë. Inflacioni i çmimeve të konsumit u mbajt në nivel mesatar prej 2.2% gjatë muajve tetor-nëntor, kryesisht për shkak të rënies së çmimeve të ushqimeve dhe stabilizimit të çmimit të qirasë. Inflacioni bazë dhe ai i brendshëm mbeten të qëndrueshëm, ndërsa inflacioni i importuar ka shënuar vlera negative.
Kursi i këmbimit ka vijuar të jetë sfidues, ndaj Banka e Shqipërisë i ka shtuar ndërhyrjet në treg për të frenuar rënien e euros edhe me shumë.
Guvernatori Sejko njoftoi se norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar në 2.5%, ndërsa norma e interesit të depozitës njëditore ruhet në 1.5%, dhe norma e interesit të kredisë njëditore në 3.5%. Ai shtoi se kreditë me probleme qëndrojnë në nivelin 4.3%, duke treguar stabilitetin e sistemit bankar dhe cilësinë e portofolit të kredive.
“Inflacioni i çmimeve të konsumit rezultoi në nivelin mesatar prej 2.3% gjatë muajve tetor–nëntor, duke shënuar një rënie të lehtë nga tremujori i tretë. Kjo ecuri u diktua më së shumti nga ulja e inflacionit për artikujt ushqimorë. Paralelisht me to, rritja e shpejtë e çmimit të qirasë u frenua në muajin nëntor. Kontributi negativ i inflacionit të naftës u zbeh plotësisht, ndërsa inflacioni i artikujve të tjerë rezultoi përgjithësisht i qëndrueshëm. Në terma makroekonomikë, presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të jenë në linjë me objektivin e stabilitetit të çmimeve, duke pasqyruar një balancim më të mirë të kërkesës dhe ofertës në treg,"-u shpreh Sejko.
Kjo konferencë ishte e fundit për vitin 2025.