SUEDI- Një i ri shqiptar me origjinë nga Kosova ka humbur jetën në një sulm me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e së dielës në qytetin e Uppsalës, në Suedi.
Viktima, Genti Maksutaj, 20-vjeç, dyshohet se nuk ishte objektivi i sulmit, por ndodhej rastësisht në zonën ku u regjistruan të shtënat gjatë një konflikti të dyshuar mes grupeve kriminale. Kjo është pista kryesore që po hetohet nga autoritetet suedeze, megjithatë motivi i ngjarjes ende nuk është konfirmuar nga autoritetet suedeze.
Lajmi për ndarjen nga jeta të 20-vjeçarit u bë publik fillimisht nga familjarët e tij në rrjetet sociale. Në një postim në rrjete sociale, Tahir Maksutaj ka bërë të ditur se Genti nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe ndodhej rastësisht në vendin e sulmit. Ai thotë se “jetën ia morën bandat kriminale”, teksa shtoi se viktima ishte një kalimtar i pafajshëm në momentin kur ndodhi sulmi.
"Mbrëmë në orët e vona morëm lajmin e rëndë për rastin tragjik të Gent (Milot)Maksutaj 20 vjeçar nga Banja e Istogut ,i cili humbi jetën duke ecur nëpër rrugët e Stockolmit në Suedi.Jetën ja morën bandat kriminale për çerim hesapesh mes veti. Genti ishte kalimtar rasti. Gent lule e rinisë, do të na mungosh shumë.", shkruan ai në postim.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 në zonën Kvarngärdet të Uppsalës, ku policia ndërhyri menjëherë pas raportimeve për të shtëna me armë. Zona u rrethua dhe hetuesit nisën punën për të mbledhur prova dhe për të identifikuar autorët.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat suedeze, një i ri rreth 18 vjeç është ndaluar në orët e para të mëngjesit si i dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje. Ndërkohë, hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësit e vrasjes./ZËRI