TIRANË- Ambasadorja e BE-së i ka dorëzuar sot kreut të qeverisë Edi Rama progres-raportin e KE-së për Shqipërinë. Ndërkohë, në një konferencë të përbashkët, kreu i qeverisë komentoi gjetjet e raportit, ku është ndalur edhe tek protetsat. Rama shprehet se e drejta për protestë duhet të garantohet, por pa akte dhune, ndërsa thekson se dialogu është thelbësor për bashkëjetesën demokratike dhe mazhoranca ka detyrimin ta garantojë atë.
“Po ashtu, raporti ngre shqetësime për funksionimin e institucioneve, mbikëqyrjen parlamentare dhe cilësinë e opinionit publik. Flet edhe për protestat, duke cituar edhe përdorimin e tepruar të forcës nga policia, teksa edhe dialogu nënvizohet si rruga ku duhet të përqendrohemi. Asnjë konstatim i raportit nuk mund të anashkalohet, ashtu si edhe ky i fundit. E drejta për protestë duhet garantuar dhe dhuna duhet dënuar. Tejkalimi i forcës duhet shqyrtuar seriozisht. Ndërsa dialogu është një etikë për bashkëjetesën demokratike dhe mazhoranca jonë e ka për detyrim që ta garantojë këtë. Nuk po flas vetëm për anën e ndritshme të këtij raporti, por edhe për atë me hije të kësaj medaljeje. Të dyja janë të vërteta dhe të dyja përbëjnë këndvështrimin realist të KE-së për Shqipërinë”, shprehet Rama./ZËRI