
TIRANË-Kreu i grupit parlamentar të Partisë Soacialiste, Taulant Balla pas përfundimit të seancës plenare në Kuvend, në një deklaratë për mediat u pyet për transferimin e kryebashkiakut Erion Veliajt dhe ankesat e këtij të fundit lidhur me trajtimin në burg, si dhe me përplasjen e raportuar mes deputetit Bledi Çuçi dhe ministrit të drejtësisë Toni Gogu.
Gjatë mbledhjes së grupit të PS u raportua se mes Bledi Çuçit dhe ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, pati një përplasje lidhur me çështjen e Veliajs, ku deputeti i kërkoi dorëheqjen ministrit, por Balla tha se mbledhjet e grupit janë të mbyllura dhe jo për publikun, duke theksuar se rasti në fjalë nuk lidhet me ministrin Gogu. Balla deklaroi se çështjen e transferimit të Veliajt ia ka përcjellë ministrit dhe pret të verifikohet, ndërsa shtoi se respektimi i të drejtave të personave në burg është i rëndësishëm edhe në kuadër të procesit të integrimit europian.
Taulant Balla: Janë tematika në mbledhje të mbyllur grupi dhe nuk janë për publikun. E para që lidhur me këtë çështje, jo për shokun tim Erion Veliaj apo për këdo tjetër e kam thënë edhe për persona të tjerë. Kushdo që më ka dërguar një ankesë lidhur me një çështje të trajtimit, nuk e fsheh. Edhe nga ish presidenti Ilir Meta në rrugë komunikimi kam marrë ankesa për trajtimin dhe padyshim që ia kam kaluar ministrave të drejtësisë. Rasti në fjalë nuk lidhet me ministrin Gogu. Kam besim që edhe çështja në fjalë do verifikohet. Jo vetëm nga avokati i Popullit, ministri i Drejtësisë, Drejtori i Përgjithshëm. Madje sot në grupin parlamentar kam kërkuar edhe komisionin për mbikëqyrjen në një program pune që ka ky institucion.
Një ditë më parë (28 tetor) Erion Veliaj u transferua nga ambjentet e paraburgimit të Durrësit në burgun e Fierit, por deri sot ende nuk dihet arsyeja e lëvizjes së tij. Vetë Veliaj e cilësoi transferimin si një 'rrëmbim policor', ndërsa një deklaratë e pati edhe për kushtet e izolimit ku po mbahet./ZËRI
