
Dy ish-ministra japonezë të mbrojtjes janë mes një grupi ligjvënësish që planifikojnë të formojnë një komitet parlamentar ndërpartiak për t'i kërkuar qeverisë të studiojë UFO-t, që mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë e vendit. Siç raporton Reuters, kjo është deklarata e anëtarëve themelues të komitetit që do të përqendrojë hetimin tek UFO-t.
Ligjvënësi japonez i opozitës, Yoshiharu Asakawa, citoi gjetjet e vitit të kaluar nga Zyra e Dukurive Anomale (AARO) e qeverisë amerikane, e krijuar për të trajtuar çështje të ngjashme, duke shtuar se Japonia nuk ka një organ të ngjashëm. Sipas asaj që zyra e SHBA AARO njoftoi në vitin 2023, "Ka pasur shumë raporte të shikimeve të fenomeneve ajrore të paidentifikuara (UAP) në qiejt mbi Japoni", vuri në dukje deputeti japonez Asakawa.
Asakawa shpjegoi arsyetimin e tij në një takim të themeluesve të grupit, i cili përfshin ish-ministrat japonezë të mbrojtjes Yasukazu Hamada dhe Shigeru Ishiba.
"Ne do të nxisim qeverinë tonë të krijojë një agjenci të posaçme për të përmirësuar aftësitë e mbledhjes dhe analizës së inteligjencës së Japonisë mbi Fenomenet Ajrore të Paidentifikuara (UAP) dhe për të thelluar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për këtë çështje," theksoi ligjvënësi japonez.
Reuters pretendon gjithashtu se ish-ministri i Mbrojtjes Yasukazu Hamada do të drejtojë grupin e ligjvënësve, që pritet të formohet më 6 qershor dhe ish-ministri i mjedisit, Shinjiro Koizumi, djali i ish-kryeministrit Junichiro Koizumi, do të shërbejë si sekretar i përgjithshëm./ZËRI