Bota

Zjarri në resortin në Turqi, dëshmitarët rrëfejnë makthin: Ju lutem na ndihmoni, po digjemi

Ai përshkroi se kishte parë një burrë në katet e fundit duke mbajtur një fëmijë dhe duke bërtitur për një dyshek mbi të cilin mund të hidhte fëmijën e tij.

I.F
Zjarri në resortin në Turqi, dëshmitarët rrëfejnë
Pamje nga vendngjarja

TURQI- Dëshmitarët okularë të zjarrit vdekjeprurës në resortin turk të skive që vrau 76 persona kanë përshkruar tmerrin e tyre teksa panë njerëz që hidheshin nga dritaret për t'i shpëtuar zjarrit, ndërsa fëmijët qanin dhe një foshnjë vdiq tragjikisht nga tymit. Zjarri shpërtheu të martën në një hotel 11-katësh me 161 dhoma në vendpushimin Kartalkaya në veri të Turqisë. Dhjetra u vranë teksa u përpoqën të arratiseshin dhe 51 persona u plagosën.

Baris Salgur, një pastrues në një hotel afër Grand Kartal, ishte ndër ata që shtruan dyshekë që të mbijetuarit të hidheshin. Ai tha se njerëzit e bllokuar brenda ndërtesës bërtisnin "Ju lutemi na ndihmoni, ne po digjemi". 19-vjeçari tha se dëshmitarët u përpoqën të qetësonin turistët e hotelit, por nuk mund të bënin asgjë, as ne nuk mund të hynin. Ai përshkroi se kishte parë një burrë në katet e fundit duke mbajtur një fëmijë dhe duke bërtitur për një dyshek mbi të cilin mund të hidhte fëmijën e tij.

“I thamë që të jetë pak më i qetë. Ai priti, pastaj erdhi zjarrfikësja dhe i ka nxjerrë, por fatkeqësisht foshnja ndërroi jetë nga tymi”, tha ai.

Esra Karakisa, një punëtore në një hotel aty pranë, përshkroi skena rrëqethëse kur njerëzit sillnin shkallë dhe dyshekë në vendngjarje, në mënyrë që viktimat të mund të shpëtonin nga dritaret ndërsa ferri përhapej.

“Ishte e tmerrshme. Ne ishim të tmerruar. Njerëzit bërtisnin. Bëritjet e fëmijëve na prekën veçanërisht”, tha ajo. “Ne donim të ndihmonim, por nuk mund të bënim asgjë. Nuk mund të shikoja, ishte shumë e frikshme”.

Autoritetet kanë caktuar gjashtë prokurorë për të hetuar shkakun e zjarrit, i cili duket se ka nisur në seksionin e restorantit në katin e katërt të hotelit prej druri dhe është përhapur me shpejtësi në katet e sipërme. Të paktën nëntë persona janë arrestuar për t'u marrë në pyetje, përfshirë pronarin e hotelit. Zyrtarët shëndetësorë po punojnë edhe për identifikimin e trupave të viktimave të gjetura në vendngjarje. Vetëm 45 nga 76 trupat janë identifikuar deri më tani, sipas ministrit të brendshëm të Turqisë.

Gjendja e atyre që u hodhën nga dhomat e hotelit end nuk dihet. Dëshmitarja Esra Karakisa tha se ajo solli rroba dhe ujë për të mbijetuarit, ndërsa të tjerët nxituan të sillnin dyshekë që njerëzit të hidheshin mbi të ose mbështetën shkallët pas murit për t'i ndihmuar ata të shpëtonin.

“Ishte shumë e lartë, nuk mund të vendosnim një litar apo asgjë. Ne po përpiqeshim të bënim më të mirën që mundëm”, tha dëshmitari Baris Salgur.

“Njerëzit u hodhën nga një lartësi e madhe, unë nuk mund të shikoja. Në katin e fundit ishin dy gra. Flakët kishin hyrë në dhomë. Nuk duruan dot dhe u hodhën”.

Halime Cetin, një punonjëse në një hotel pranë Grand Kartal, tha: “Nuk kishte njeri përreth. Ata po thërrisnin zjarrfikësin”.

“Po thyenin xhamat. Disa nuk duruan më tymin dhe flakët dhe u hodhën”.

Hoteli kishte 238 klientë të regjistruar në momentin e zjarrit. Zyrtarët dhe dëshmitarët thanë se përpjekjet e shpëtimit u penguan nga fakti se një pjesë e hotelit me 161 dhoma është në anën e një shkëmbi. Sipas ministrit të Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, hoteli iu nënshtrua inspektimeve në 2021 dhe 2024 dhe "asnjë situatë negative në lidhje me kapacitetin zjarrfikës" nuk u raportua nga departamenti i zjarrfikësve.

Ndërsa presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka shpallur ditën e sotme Ditë Zie Kombëtare për nder të viktimave. /ZËRI

Poll

MOS HUMB