
TURQI- Një fatkeqësi ka tronditur Turqinë! 66 persona kanë humbur jetën, ndërsa dhjetra të tjerë (deri më tani raportohet se janë 55) kanë mbetur të plagosur nga zjarri në një resort skish "Grand Kartal" në Bol Kartalkaya. Zjarri nisi në restorantin e hotelit dhe menjëherë u përhap në të gjithë godinën, e cila ishte e ndërtuar tërësisht nga druri.
MOMENTI ME VIDEO:
Flakët u shuan pas më shumë se 10 orëve. Tani në zonë, autoritetet kanë lëshuar një paralajmërim që askush të mos i afrohet hotelit për shkak se është kryesisht prej druri dhe rrezikon që të shembet nga momenti në moment. Sa i përket të plagosurve, ministri i Shëndetësisë Kemal Memişoğlu tha se gjendja e njërit prej tyre ishte kritike, ndërsa 17 të tjerë ishin vendosur në terapi intensive. Të tjerët, edhe pse në spital, ishin jashtë rrezikut për jetën.
View this post on Instagram
Dy të rinj që punonin në hotel treguan detaje nga tragjedia për mediat turke.
"Ishte rreth orës 3 të natës. Nga jashtë u dëgjuan klithma. Ne vrapuam për të ndihmuar njerëzit. Ne u përpoqëm t'i ndihmonim njerëzit me aq sa mundëm. Po ashtu, u përpoqëm të merrnim çdo gjë që i duhej kujtdo. Pashë njerëz në dritare që nuk dolën dot jashtë. Ishte një moment shumë i trishtë për mia. Disa njerëz patën sulme paniku dhe u hodhën nga dritarja. U hodhën të moshuar dhe të rinj. Një fëmijë i babait vdiq në krahë. Ishte e tmerrshme,"-tha një prej personave që punonte në resort.
Disa persona filmuan skena tronditëse, ku pushuesit po lidhnin çarçafë për t'u zbritur nga dritaret, ndërsa të tjerët bërtisnin për ndihmë. Dy nga viktimat ndërruan jetë pasi u hodhën nga ndërtesa dhe jo nga flakët.
Shkaku i zjarrit në resortin ku po strehoheshin 234 persona ende nuk dihet. Ministri i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, Vedat Işıkhan bëri me dije për mediat se për të hetuar shkakun e vërtetë të zjarrit janë caktuar 4 kryeinspektorë, 6 prokurorë dhe një panel ekspertësh prej 5 personash që do të merren vetëm me shkakun e zjarrit./ZËRI