
SHBA- Të gatshëm për të reformuar si Uashingtonin ashtu edhe pjesën tjetër të botës! Kështu e ka nisur mandatin e tij të dytë si president Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Në më pak se dy orë pasi u bë përsëri president, Trump e bëri të qartë se do të qeveriste me kushtet e tij dhe nuk kishte asnjë interes të kufizonte 'personazhin' që ndihmoi në sigurimin e kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Sipas WSJ, orët e para të kthimit të Trump në pushtet tregojnë se presidenti i ri i SHBA-së do të vazhdojë ping-pongun e tij të çuditshëm që ndonjëherë kërkon të shfaqet si serioz dhe herë të emocionojë turmat duke kërcyer.
“Dhe ndërsa ish-presidenti Biden menaxhohej fort nga këshilltarët e tij, Trump e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë përpjekjet e miqve, aleatëve dhe këshilltarëve ta kufizojnë,”- shtohet në analizën e gazetës amerikane "ëall Street Journal". Dallimi kryesor me vitin 2017 është se Trump ishte një i huaj me shumë pak kontakte me politikën, ndërsa kësaj here ai do rikthehet në Shtëpinë e Bardhë duke ditur se si të lëvizë dhe manovrojë axhendën e tij.
Manjatët
Si një shenjë dalluese e presidencës së dytë të Trump është prania në ceremoninë e betimit të manjatëve si Mark Zuckerberg dhe Jeff Bezos i Amazon, të cilët deri vonë u shmangën nga presidenti.
"Por ata ishin aty, të rreshtuar ndërsa ai mbante fjalimin e tij të inaugurimit, të ulur përkrah figurave të tjera të fuqishme që kishin ardhur për t'i bërë nderimet e tyre udhëheqësit të ri,"-thuhet në raport.
Partnerët
Por nuk është vetëm Trump ai që po kthehet më me përvojë, janë edhe anëtarët e stafit të tij që po kthehen në zyrat që kishin zënë katër vjet më parë. Siç e përshkruan një nga ndihmësit e Trump, kur ai mbërriti në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017, ai nuk e dinte se ku ishin tualetet ose cilat zona ishin jashtë juridiksionit të tij. I dukej si dita e parë e shkollës. Por këtë herë, shumë nga ndihmësit e Trump po kthehen si veteranë të Shtëpisë së Bardhë. Stafi dhe këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë të Trump, duke përfshirë shefen e re të stafit Susie ëiles dhe miliarderi Elon Musk, ishin në Shtëpinë e Bardhë të hënën pasdite për një vizitë në zyrat e tyre. Musk, i cili drejton Departamentin e sapoformuar të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), e cila pritet të jetë në një zyrë në ndërtesën Eisenhoëer, pak hapa nga krahu perëndimor.
Letra e Bidenit
Tregues i klimës së Trump në Shtëpinë e Bardhë është mënyra se si presidenti i ri amerikan e trajtoi letrën që i kishte lënë në Zyrën Ovale paraardhësi i tij, Joe Biden. Ai hapi sirtarin, mbajti letrën me numër '47' dhe bëri shaka dhe i tha gazetarit që ia kujtoi: Sa mirë që ma kujtove! Do e kisha lënë këtu deri në ditën e fundit. Të falenderoj. Çfarë ndjesie e mrekullueshme të kthehesh. Është një nga ditët më të mirat e jetës sime.
Ishte stuhi në orët e para pas inaugurimit të tij, presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi dhjetëra urdhra ekzekutivë në lidhje me një gamë të gjerë çështjesh: nga masat e emigracionit dhe riemërtimi i Gjirit të Meksikës, deri te tërheqja nga marrëveshja për klimën dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, falja e ndjekësve të tij që sulmuan Kapitolin në 2021, heqja e gjinisë së tretë dhe forcimit të masës së dënimit me vdekje.
Donald Trump ka anuluar gjithsej 78 veprime ekzekutive të Joe Biden.
Emigrantët
Trump ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin SHBA-Meksikë dhe në 30 ditë nga sot do të shfuqizohet dhënia automatike e shtetësisë për fëmijët e emigrantëve të lindur në SHBA. Ai revokoi gjithashtu vendimin e Biden që kufizon dëbimet për ata që kryejnë krime të rënda, konsiderohen kërcënim kombëtar ose ndalohen në kufi.
Klima dhe Energjia
Me vendimin e Presidentit Trump, SHBA po tërhiqet sërish nga marrëveshja e Parisit për klimën – siç kishte bërë në mandatin e tij të mëparshëm. Marrëveshja e Parisit është marrëveshja ndërkombëtare për të luftuar ndryshimet klimatike dhe pothuajse 200 vende janë zotuar të mbajnë ngrohjen globale nën 2 gradë Celsius dhe në 1.5 gradë. Në të njëjtën kohë, ai revokoi urdhrin e Bidenit, sipas të cilit 50% e automjeteve të reja të shitura nga viti 2030 duhet të jenë elektrike.
Ekonomia
Presidenti amerikan urdhëroi gjithashtu Departamentin e Thesarit të përgatisë opsione për "mbrojtje" kundër vendeve që kanë miratuar - ose ka të ngjarë të miratojnë - rregulla tatimore që dëmtojnë në mënyrë disproporcionale bizneset amerikane. Ai kishte deklaruar më herët se marrëveshja mbi normën minimale të taksës globale për kompanitë shumëkombëshe, e arritur në kuadrin e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), nuk kishte "asnjë forcë apo efekt" në SHBA.
Politika e jashtme
Të gjitha programet e ndihmës së huaj janë pezulluar përkohësisht për 90 ditë dhe do të rivlerësohen për të parë nëse ato përputhen me qëllimet e administratës Trump. Trump gjithashtu nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të ndryshuar emrin e Gjirit të Meksikës në Gjirin e Amerikës si dhe malin Denali në malin McKinley, duke rrëzuar një vendim të Barack Obama në vitin 2015.
Organizata Botërore e Shëndetësisë
SHBA-të do të tërhiqen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë sepse sipas Trump OBSH vazhdon të kërkojë "pagesa të padrejta". Sipas tij, Kina me një popullsi prej 1.4 miliardë banorë paguan 90% më pak para se SHBA. Tërheqja do të ndodhë brenda 12 muajve të ardhshëm në një kohë kur SHBA është financuesi më i madh i organizatës.
TikTok
Me një tjetër dekret, Donald Trump mbajti hapur TikTok për 75 ditët e ardhshme, me shpresën se gjatë kësaj kohe do të gjendet një investitor amerikan që platforma të mbahet hapur.
Kërcënimi i tarifave 25% për Kanadanë dhe Meksikën
Megjithatë, dekretet nuk përfshijnë tarifat që ai premtoi të vendoste. Trump ka thënë se beson se do të zbatojë tarifa të reja mbi Kanadanë dhe Meksikën më 1 shkurt. Ai u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se po konsideronte vendosjen e tarifave 25 për qind për importet nga fqinjët e Amerikës së Veriut të Shteteve të Bashkuara. Kjo është e barabartë me pezullimin për një javë të tarifave që ai premtoi të vendoste në ditën e tij të parë në detyrë. I pyetur për tarifat ndaj Kinës, Trump vuri në dukje se tarifat që ai vendosi fillimisht si president janë ende në fuqi.
Trump: Do të takohem me Putinin
Donald Trump ka parashikuar se Danimarka do të përfundojë duke u tërhequr për shkak të Grenlandës, një rajon autonom që republikani ka thënë së fundmi se synon ta vendosë nën kontrollin e SHBA./ZËRI