
SERBI- Vojislav Sheshel, i dënuar për krime lufte, vazhdon të mbetet një figurë politike në Serbi. Madje, në zgjedhjet lokale të 17 dhjetorit, Shesheli do të jetë në koalicion për qytetin e Beogradit me vëtë partinë e Aleksandër Vuçiçit, aktualisht president i Serbisë.
Siç raporton Nova, Shesheli, që është kryetar i Partisë Radikale Serbe (SRS), ka arritur koalicion me SNS-në, partia e Vuçiçit, për zgjedhjet lokale në qytetin e Beogradit.
“Kam pasur bisedime me Aleksandër Vuçiçin, Ana Brnabiçin dhe Darko Glishicin dhe ramë dakord që SRS të hyjë në koalicion me SNS-në në zgjedhjet e Beogradit dhe në zgjedhjet komunale dhe të qytetit në brendësi të Serbisë. Përfaqësuesit tanë do të përfaqësohen në listat e kandidatëve dhe ne do të marrim pjesë pas zgjedhjeve në pushtetin ekzekutiv”, tha Shesheli në TV Happy, raporton Nova.
I dënuari për krime lufte, Sheshel, mbahet mend për retorikë të ashpër ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, ndërsa gjatë luftës në Kosovë, ai mbronte idenë për largimin e shqiptarëve nga Kosovës përmes spastrimit etnik.
Shesheli ishte një nga përkrahësit e politikës së Sllobodan Millosheviçit, ish-diktator i Serbisë, i njohur gjërësisht si Kasapi i Ballkanit, karshi luftës në Kosovë, ku u kryen krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.