
BEOGRAD – Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në kudër të vizitave në vendet e Ballkanit Perëndimor, ka qenë këtë herë në Beograd, ku takoi presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Von der Leyen tha se njohja de facto e Kosovës do të thotë që Serbia të implementojë marrëveshjen e arritur në Ohër.
“Njohja de facto e Kosovës nga Serbia nënkupton që Beogradi të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit. Kjo parasheh hapa të ndryshëm, që duhet të ndiqen, përfshirë pranimin e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga ana e Serbisë. Kjo shkon paralel me detyrën që ka Prishtina, atë për formimin e Asocacionit të Komunave Serbe në veriun e Kosovës”, tha Von der Leyen.
Shefja e KE-së Ursula von der Leyen tha se nëse zbatohen këto marrëveshje, i hapet rrugë normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi dhe më tej integrimit të vendeve në BE.
Ndërsa, përgjigja e Vuçiç ishte e pazakontë. Ai tha se Serbia nuk e konsideron pyetjen për njohje de facto të Kosovës.
“Të jem i sinqertë, për ne njohja e pavarësisë së Kosovës nuk është çështje, dhe këtë e kam thënë pafundësisht. Nuk më vjen turp ta them dhe këtu e jam krenar që e deklaroj. Ne e dimë se cilat janë detyrimet tona dhe jemi të gatshëm t'i përmbushim ato detyrime. Prishtina për 11 vite kishte vetëm një obligim, të themelonte Asocacionin dhe nuk e bëri këtë. Ne kishim të gjitha dokumentet që thjesht duheshin respektuar, 4 dokumente që kishin të bënin me Asocacionin, asnjëri prej tyre nuk u aplikua”, tha Vuçiç.
Presidenti serb shtoi se nuk ka besim se Kosova do të formojë Asocacionin e komunave me shumicë serbe.
“Nëse doni të jem plotësisht i sinqertë, kam frike se formimin e Asocacionit nuk do ta shohim, së paku së afërmi jo. Natyrisht, thelbi është që ne të bëjmë më shumë lëshime, sepse Perëndimi e sheh ndryshe atë që kemi kaluar më 1999, 2004, 2008, 2013. Nuk ka gjëra të lehta dhe të bukura për ne. Por ne duhet të vazhdojmë, vendi duhet të zhvillohet, duke mbrojtur interesat tona jetike shtetërore dhe kombëtare”, tha Vuçiç.
Von der Leyen takon Spahiç: Qeveria malazeze të ndjekë politikat europiane
Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen, ishte në Podgoricë, ku zhvilloi një takim me kryeministrin e ri të Malit të Zi, Milojko Spahiç.
Von der Leyen theksoi rëndësinë, që qeveria e Malit të Zi të përparojë drejt agjendës europiane.
“Detyra më e rëndësishme e Qeverisë malazeze është të japë rezultate nga agjenda evropiane dhe të përmbushë pritjet e qytetarëve në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ishte mesazhi i shefes së KE-së.
Kreu i qeverisë malazeze, Spahiç tha se qeveria e Malit të Zi e ka prioritet integrimin në BE dhe do të vazhdojë me reformat e nevojshme.
“Mali i Zi ka një qeveri pro-europiane e pro-atlantike dhe një shumicë politike të qëndrueshme, që do të kontribuojë në mbylljen e kapitujve më të rëndësishëm të negociatave dhe do të përshpejtojë reformat e nevojshme në të gjitha degët e qeverisë”, tha Spajiç.
Në takim, u vlerësua se duhet të përshpejtohen reformat, veçanërisht në sistemin gjyqësor, në lirinë e medies dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen ka nisur një tur ballkanik, ku do takojë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Më herët, ajo ishte në Prishtinë dhe Shkup./Zëri.ai/