JERUZALEM- Një ministri e qeverisë izraelite ka hartuar një ‘propozim lufte’, për transferimin e 2.3 milionë banorëve të Rripit të Gazës në gadishullin Sinai të Egjiptit. Ky lajm ka bërë që të reagojnë palestinezët, ndërsa ka krijuar tensione edhe me Kajron.
Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu e hodhi poshtë raportin e përpiluar nga Ministria e Inteligjencës. Por, konkluzionet thelluan frikën e kahershme egjiptiane se Izraeli dëshiron ta kthejë Gazën në problemin e Egjiptit dhe ringjallën për palestinezët kujtimet e traumës së tyre më të madhe - zhvendosjen e qindra e mijëra njerëzve që u larguan ose u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre gjatë luftimeve me Izraelin, në vitin 1948.
Autoriteti Palestinez ka kundërshtuar propozimin, duke thënë se zhvendosja e banorëve të Gazas, do të ishte një “vijë e kuqe”.
"Ne jemi kundër transferimit në çdo vend, në çfarëdo forme dhe e konsiderojmë një vijë të kuqe, që nuk do të lejojmë të kalohet. Ajo që ka ndodhur më 1948, nuk do ta lejojmë të ndodhë më", tha për raportin Nabil Abu Rudeineh, zëdhënës i presidentit palestinez Mahmud Abbas. Deri tani më shumë se 8000 palestinezë, shumica dërrmuese e tyre civilë, janë vrarë, që kur Izraeli hyri në luftë kundër Hamasit, pas sulmit të militantëve më 7 tetor.
Dokumenti ka si synim “sigurinë e Izraelit”
Dokumenti mban datën 13 tetor, gjashtë ditë pasi militantët e Hamasit vranë më shumë se 1,400 njerëz në jug të Izraelit dhe morën mbi 240 pengje, në një sulm që provokoi një pushtim tokësor izraelit në Gaza. Ky dokument u publikua fillimisht nga Sicha Mekomit, një faqe lokale lajmesh.
Në raportin e saj, Ministria e Inteligjencës (një ministri e vogël që kryen kërkime, por nuk përcakton politika) ofroi tre alternativa “për të realizuar një ndryshim të rëndësishëm në realitetin civil në Rripin e Gazës, nën dritën e krimeve të Hamasit që çuan në luftë.”
Autorët e dokumentit e konsiderojnë këtë alternativë si më të dëshirueshmen për sigurinë e Izraelit. Dokumenti propozon zhvendosjen e popullsisë civile të Gazës në qytetet që ndodhen në Sinain verior, pastaj ndërtimin e qyteteve të përhershme dhe një korridor të papërcaktuar humanitar. Brenda Izraelit do të krijohej një zonë sigurie, për të bllokuar hyrjen e palestinezëve të zhvendosur. Raporti nuk tha se çfarë do të bëhet me Gazën, pasi aty të mos ketë më civilë.
Ministria e Jashtme e Egjiptit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi raportin. Por Egjipti e ka bërë të qartë gjatë kësaj lufte se nuk dëshiron të pranojë një valë refugjatësh palestinezë.
Egjipti prej kohësh ndjen ‘frikën’ se Izraeli dëshiron të detyrojë palestinezët të shpërngulen në mënyrë të përhershmee në territorin egjiptian, siç ndodhi gjatë luftës për pavarësinë e Izraelit. Egjipti sundoi Gazën midis viteve 1948 dhe 1967, kur Izraeli pushtoi territorin, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin lindor. Shumica dërrmuese e popullsisë së Gazës janë pasardhës të refugjatëve palestinezë, të dëbuar nga tokat, ku tani është shteti i Izraelit.
Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah El-Sissi, ka thënë se një fluks masiv i refugjatëve do të eliminonte kauzën nacionaliste palestineze në Gaza. El Sissi u shpreh se gjithashtu mund të ndodhë, që militantët të sulmojnë Izraelin, nga Sinai. Kjo do të rrezikonte traktatin e paqes të vendeve të vitit 1979. Ai propozoi që Izraeli të strehojë palestinezët në shkretëtirën e tij Negev, që ndodhet pranë Rripit të Gazës, derisa të përfundojë operacionet e tij ushtarake.
Yoel Guzansky, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin për Studimet e Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv, tha se dokumenti mund të dëmtonte marrëdhëniet me një partner kyç.
“Nëse ky dokument është i vërtetë, ky është një gabim i rëndë. Mund të shkaktojë një përçarje strategjike midis Izraelit dhe Egjiptit”, tha Guzansky, i cili u shpreh se është konsultuar me ministrinë në të kaluarën. "Unë e shoh atë dokument ose si injorancë ose të përgatitur nga dikush që dëshiron të ndikojë negativisht në marrëdhëniet Izrael-Egjipt, të cilat janë shumë të rëndësishme në këtë fazë. Egjipti është një partner i vlefshëm që bashkëpunon në prapaskenë me Izraelin”, tha eksperti.
Dokumenti flet dhe për vende të tjera, ku mund të strehohen refugjatët
Egjipti nuk do të ishte domosdoshmërisht ndalesa e fundit e refugjatëve palestinezë. Dokumenti flet për Egjiptin, Turqinë, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që mund ta pranojnë planin, për zhvendosje të palestineëve në territoret e tyre.
Në pamje të parë, ky propozim mund të jetë i ndërlikuar për sa i përket legjitimitetit ndërkombëtar, pranon dokumenti. Në këtë dokument shkruhet se me transferimin e civilëve, luftimet në zonë mund të jenë më të lehta, duke mos rrezikuar jetën e banorëve.
Dokumenti hedh poshtë dy opsionet e tjera: rivendosjen e Autoritetit Palestinez me bazë në Bregun Perëndimor si sovran në Gaza, ose mbështetjen e një regjimi lokal. Dokumenti refuzon këto alternativa, pasi i cilëson të paafta për të garantuar sigurinë e Izraelit.
Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 9800 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/