
SERBI- Serbia do të shkojë në zgjedhje të reja lokale dhe parlamentare. Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet dhe mediat serbe. Vendimi vjen pas evidentimit të shkeljeve të shumta në zgjedhjet e fundit. Ndërkohë vetëm një ditë më parë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç duket se është dorëzuar para presionit ndërkomëbtar duke njoftuar kryesinë e Partisë Progresive Serbe (SNS) që të shkojë në zgjedhje të reja, të cilat pritet të mbahen në muajt në vijim.
OSBE/ODIHR evidentuan shumë parregullsi në zgjedhjet lokale në Serbi, përfshi dhe faktin që erdhën votues nga Republika Serbe e Bosnje-Hercegovinës, të cilët nuk kishin adresë banimi në Beograd.
Në zgjedhjet lokale të 17 dhjetorit 2023, SNS në pushtet fitoi 49 mandate, koalicioni opozitar i qendrës së majtë pro-evropiane "Serbia kundër dhunës" (SPN) 43 nga gjithsej 110 këshilltarë, ndërsa partnerët e koalicionit të progresistit socialistët (SPS) kanë pesë.
Që nga dita e zgjedhjeve, më 17 dhjetor, opozita ka akuzuar partinë në pushtet për vjedhje të vullnetit të qytetarëve duke sjellë votues nga Republika Srpska dhe qytete në Serbi.
Vërejtje të shumta kanë pasur edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilat janë theksuar në raportin e misionit vëzhgues të OSBE-së ODIHR.
Më 8 shkurt, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkon një hetim ndërkombëtar për parregullsitë e supozuara zgjedhore dhe propozon pezullimin e aksesit të Serbisë në fondet evropiane, nëse vërtetohet se autoritetet ishin të përfshira drejtpërdrejt në mashtrimin zgjedhor.
Liderët e partive dhe koalicioneve opozitare e shohin pëlqimin e SNS për zgjedhje të reja si një pranim se zgjedhjet ishin vjedhur, megjithëse kampi progresiv dhe lidershipi shtetëror pretendonin kategorikisht gjatë gjithë kohës se procesi zgjedhor ishte i drejtë. /ZËRI