
MAQEDONI E VERIUT- Një ditë pas zbardhjes së vrasjes që shokoi Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm, policia vendase ka njoftuar shpalljen në kërkim ndërkombëtar të të dyshuarit kryesor për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e të miturës, Ljupço Palevski Palco.
Emri i tij është shpallur në kërkim nga Interpol, ndërsa ka dyshime se ai u largua nga Maqedonia në drejtim të Bullgarisë së bashku me avokatin e tij. Ljupco Palevski – Palco është një ish-biznesmen ndërtimi dhe themelues i partisë Desna, një grup politik prorus dhe radikal. Ndërkohë që të gjithë të dyshuarit e tjerë si të përfshirë në vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorcevska, dhe të një 74-vjeçari janë vënë në pranga dhe u është dhënë masa e paraburgimit me afat 48 orë.
Në mesin e tyre është dhe babai i të miturës, që ka informuar rrëmbyesit e vajzës së tij për kohën e saktë që ajo do të dilte nga shtëpia për të shkuar në shkollë. Dyshohet se ai ka marrë pjesë në rrëmbimin e vajzës së tij, me qëllim që të përfitonte para nga nëna e 14-vjeçares, me të cilën ishte divorcuar kohë më parë.
Nuk dihet ende nëse ai e ka pranuar përfshirjen në krimin e rëndë, ndërkohë që mbetet e pazbardhur pse vajza u vra vetëm dy orë pas rrëmbimit, nëse qëllim do të kishte qenë shantazhimi i nënës së saj, për të marrë para. Gjatë ditës së djeshme ka pasur raportime se të miturës do t’i trafikoheshin organet, por kjo mbetet një pistë e pakonfirmuar ende nga autoritetet maqedonase.
Vajza e mitur u vra dy orës pasi u rrëmbye nga banesa e saj në datën 27 Nëntor, dhe prej një jave policia ishte në kërkim të saj, derisa u gjet e varrosur, në afërsi të trupit të 74-vjeçarit. Ky i fundit dyshohet se u vra për 500 euro, ndërsa makina në pronësi të tij u përdor në rrëmbimin e Vanjës.
/ZËRI