
ZELANDË E RE- Një deputete në Zelandën e Re, ka dhënë dorëheqjen pas akuzave të shumta për vjedhje dyqanesh, të cilat policia po i heton.
Golriz Ghahraman, e Partisë së Gjelbër, dyshohet se ka vjedhur tre herë nga dy dyqane veshjesh - një në Auckland dhe tjetra në Wellington.
“Stresi i lidhur me punën më bëri që të dal jashtë karakterit”, tha deputetja. “Kam zhgënjyer shumë njerëz dhe më vjen shumë keq”, shtoi ajo.
Zonja Ghahraman u largua nga Irani si fëmijë me familjen e saj, të cilëve të gjithëve iu dha azil politik në Zelandën e Re.
Dorëheqja e saj të martën vjen pasi u shfaqën pamjet e ÇTV-së që tregonin se ajo merrte një çantë stilisti nga një butik në Auckland.
42-vjeçarja, e cila nuk ka marrë asnjë akuzë zyrtare, është shprehur se veprimet e saj ishin shumë larg sjelljes që publiku pret nga përfaqësuesit e zgjedhur.
“Nuk është një sjellje që mund ta shpjegoj sepse nuk është në asnjë mënyrë racionale dhe pas vlerësimit mjekësor e kuptoj që nuk jam mirë”, tha ajo, duke shtuar se nuk donte të justifikonte veten.
"Profesionisti i shëndetit mendor që shoh thotë se sjellja ime e fundit është në përputhje me ngjarjet e fundit që shkaktojnë reagime ekstreme ndaj stresit dhe kanë të bëjnë me trauma të panjohura më parë."
Duke iu përgjigjur dorëheqjes së saj, bashkë-drejtuesi i Partisë së Gjelbër, James Shaw tha se zonja Ghahraman ishte subjekt i "kërcënimeve të vazhdueshme të dhunës seksuale, dhunës fizike, kërcënimeve me vdekje që nga dita që ajo u zgjodh në Parlament".
"Kjo ka shtuar një nivel më të lartë stresi sesa përjetohet nga shumica e anëtarëve të parlamentit," tha ai.
Ghahraman ka folur në të kaluarën për abuzimet që ajo ka marrë si në internet ashtu edhe personalisht bazuar në trashëgiminë e saj iraniane, gjininë e saj dhe qëndrimet publike që ajo ka mbajtur për çështje të ndryshme./ZËRI