
KOSOVË- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ndodhet në Kosovë. Hasani në një konferencë për media me homologen e tij Donika Gërvalla, është pyetur nëse vizita e tij ndërlidhet me shqetësimet e fundit të ngritura nga Kosova për sulme të mundshme nga Serbia.
Gjatë fjalës së tij ministri është shprehur se Kosova do të ketë gjithmonë aleat Shqipërinë, teksa ka thënë se ka përfunduar ajo kohë kur vendet i vendosin ushtritë në kufi me vendin fqinj. Hasani ka thënë se askush nuk duhet ta vazhdojë më këtë lojë, të cilën e ka cilësuar qesharake.
Igli Hasani: Kosova ka një aleat të përjetshëm dhe të padiskutueshëm që është Shqipëria. Në të mirë dhe në të keq, Shqipëria do të jetë pranë Prishtinës dhe shqiptarëve të Kosovës. Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në kufijtë e Republikës së Kosovës. Bëjmë thirrje gjithë faktorëve që jetojnë në shekullin XXI, nuk i çohen ushtri fqinjit më tek kufiri dhe askush nuk duhet të vazhdojë më këtë lojën që është qesharake se të gjithë jemi të qartë se garancia më e madhe për Kosovën është NATO, ku dhe Shqipëria është pjesë.
Ndër të tjera në lidhje me masat ndëshkuese nën të cilat është vendosur Kosova nga aktorët ndërkombëtarë, ministri Hasani ka thënë se Kosova po i kryen detyrat e saj teksa ka shtuar se është fakt i pamohueshëm që liberalizimi i vizave në fillim të këtij viti, do i japë një impakt të ri këtij vendi.
Nga ana tjetër ministrja Gërvalla tha se masat ndaj Kosovës janë të padrejta, ndërsa kërkoi nga BE që ta ulë Serbinë në tavolinën e diskutimit dhe të pranojë të nënshkruajë draftin e ri për asociacionin.
Donika Gërvalla: Masat ndaj Kosovës, të padrejta dhe të pakuptueshme për shkak se asnjë diplomat evropian nuk është në gjendje të japë vlerësim se kur kushtet konsiderohen të përmbushuara që të hiqen masat. Masat ndaj Kosovës të padrejta, nuk mund të ndihmojnë për të heshtuar rreth faktit se Kosova ka treguar që në fillim të dialogut që është e interesuar që të arrijë rezultate dhe prandaj vazhdimisht e kemi ngritur zërin me qëllim që procesi i dialogut të ketë shans për përmbyllje, por deri më tani nuk po e shohim. Ka ardhur koha që BE të thotë fjalën e vet rreth asaj që ka ndodhur në Banjskë. Jo larg kufirit me Kosovën janë duke u ushtruar grupe të tjera dhe kjo duhet të marrë fund. Bashkëpunimi rajonal do të duhej të ishte kryefjala.
Në 24 shtator 2023 Kosova u trondit nga një sulm i një grupi terrorist serb në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kurse zyrtari policor Alban Rashiti u plagos dhe një tjetër u lëndua. Bashkimi Evropian nuk po bindet t’i vendosë sanksione Serbisë as pas publikimit të pamjeve që dëshmojnë se terroristët janë trajnuar në bazën ushtarake të Serbisë në Pasuljanske Livade. Zëdhënësi, Peter Stano, pret bashkëpunim të plotë nga Serbia, ndërsa pas përfundimit të hetimeve do të vendosin nëse do ta sanksionojnë shtetin i cili qëndron para sulmit terrorist./ZËRI