
KINË- Studiuesit në Institutin Yunnan të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve Endemike në Kinë kanë zbuluar dy viruse të reja te lakuriqët e natës që janë të lidhura ngushtë me viruset vdekjeprurëse që mund të shkaktojnë inflamacion të rëndë të trurit dhe sëmundje të frymëmarrjes te njerëzit. Viruset përshkruhen në një botim në revistën me qasje të hapur "PLOS Pathogens".
Në studim, studiuesit shqyrtuan pjesën e brendshme të veshkave të 142 lakuriqëve të natës nga dhjetë specie të ndryshme. Të dhënat e mbledhura gjatë katër viteve në pesë zona të provincës Yunnan në Kinë. Duke përdorur sekuencimin gjenetik të përparuar, ekipi gjeti 22 viruse, 20 prej të cilave nuk ishin parë kurrë më parë.
Dy nga më shqetësueset ishin viruset e reja Henipa, nga e njëjta familje si viruset Nipah dhe Hendra, të cilat njihen për shkallën e lartë të vdekshmërisë tek njerëzit. Këto viruse u gjetën te lakuriqët e frutave që jetonin pranë pemishteve, në një distancë të shkurtër nga fshatrat e banuara. Meqenëse viruset Henipa mund të përhapen përmes urinës, studimi ngre shqetësime në lidhje me frutat e kontaminuara dhe rrezikun që këto viruse të kalojnë te njerëzit ose kafshët.
Hulumtimi identifikoi gjithashtu një parazit të ri protozoar dhe dy specie bakteriale veçanërisht të bollshme, njëra prej të cilave është zbuluar rishtazi./ZËRI