
RUSI- Trupi i figurës së opozitës ruse Alexey Navalny i është dorëzuar sot nënës së tij. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësja e Navalny, Kira Yarmysh, shkruan CNN.
Yarmysh shtoi se nëna e Navalny, Lyudmila Navalnaya, është ende në Salekhard, qyteti i Arktikut ku mbahej trupi i djalit të saj.
“Trupi i Alexey iu dorëzua nënës së tij. Shumë faleminderit për të gjithë ata që e kërkuan këtë gjë me ne”, ka postuar Yarmysh në rrjetet sociale.
“Lyudmila Ivanovna është ende në Salekhard. Varrimi është ende në pritje. Nuk e dimë nëse autoritetet do të ndërhyjnë për ta realizuar atë siç dëshiron familja dhe siç e meriton Alexey. Ne do t'ju informojmë sapo të ketë lajme”, shtoi ajo.
Kritiku më i madh i regjimit të presidentit rus Vladimir Putin, Aleksei Navalny vdiq në koloninë penale numër 3, në rrethin e Yamalo-Netets. Ai u ndje keq pas një shëtitjeje, humbi ndjenjat dhe ra në tokë. Menjëherë kanë mbërritur mjekët dhe ambulanca, por tashmë ishte tepër vonë. Autoritetet ruse kanë thënë se po hetojnë shkaqet e vdekjes. Në lidhje me vdekjen e tij, kanë reaguar liderët e vendeve perëndimore dhe organizatave të rëndësishme globale./ZËRI