
SHBA- Një projekt-ligj që ndalon të miturit nën moshën 16 vjeç të përdorin mediat sociale i është dërguar guvernatorit të Floridës nga ligjvënësit të enjten. Siç raportojnë mediat amerikane kjo do të jetë një prej kufizimeve më të rrepta për përdorimin e internetit nga fëmijët në Shtetet e Bashkuara.
Mes shqetësimeve për rreziqet e internetit si grabitqarët seksualë, ngacmimi kibernetik dhe vetëvrasja e adoleshentëve, ligji kontestues synon të mbrojë shëndetin mendor të fëmijëve. Projektligji u miratua nga Senati i shtetit 23–14 dhe më pas u kthye në Dhomë, ku u votua 108–7.
Në një konferencë për shtyp guvernatori, i cili u largua nga gara për president në janar pas një fushate të dështuar, ka argumentuar shpesh se prindërit duhet të kenë më shumë autoritet mbi zgjedhjet që ndikojnë tek fëmijët e tyre, veçanërisht ato që lidhen me arsimin.
Florida ka miratuar legjislacionin nën DeSantis që ndalon mësimin e identitetit gjinor dhe edukimin seksual në shkolla dhe nxjerr jashtë ligjit iniciativat e diversitetit në kolegjet që marrin mbështetje shtetërore.
Në muajt e fundit, një numër i madh librash që prindërit konservatorë dhe bordet e shkollave mendonin se ishin të papërshtatshëm për lexuesit e vegjël u hoqën nga raftet e librave të bibliotekës së shkollave të shtetit.
Shumica dërrmuese e platformave të mediave sociale aktualisht kërkojnë që përdoruesit të jenë 13 vjeç për të krijuar një llogari, por ata nuk ndërmarrin hapa të shumtë për të zbatuar këtë rregull.
Megjithatë, nëse legjislacioni miratohet dhe zbatohet, platformat e mediave sociale duhet të ndalojnë të miturit nën moshën 16 vjeç nga Florida të hapin llogari dhe të mbyllin ato që janë krijuar tashmë prej tyre./ ZËRI