
KOSOVË- Një ngjarje e rëndë tronditi Gjakovën, ku një 4-vjeçare humbi jetën në në Qendrën Kombëtare Universitare të Kosovës. Vdekja e vajzës qëndron ende ‘mister’. E mitura dyshohet të ketë ndërruar jetë pasi u dhunua nga familjarët. Nga ana tjetër nëna tha se nuk i janë treguar shkaqet e vdekjes së vajzës dhe vetëm në Prishtinë i është thënë që vajza ka virus. Familja deklaron se nuk e di shkakun e vdekjes, por deklaruan një apo dy javë më herët e ndjera 4-vjeçare i ishte ankuar për dhimbje të barkut.
Cfarë ndodhi?
Disa ditë më parë, Arjana Hajra, së bashku me të bijën kishin vendosur t’i bënin një vizitë vëllait të saj, por të bijën e kishte lënë jashtë për të luajtur me fëmijët. Më pas e kishte të voglën të shtrirë në tokë. Sipas Hajrës, vajza i kishte thënë se e kishin rrahur fëmijët e familjarëve që kishin shkuar t’i vizitonin. E mitura u dërgua fillimisht në spitalin e Gjakovës, por më pas u transportua drejt QKUK ku dhe ndërroi jetë. Sipas mjekëve, e mitura ka pasur shenja në trup që dyshohet se janë shkaktuar nga dhuna.
‘E morra çikën, filloi të qajë. I thash çka ki, më tha ma ka hi Jakupi me dërrasë qitu dhe djali i Sabijes më ka rreh krejt. As ajo s’mkallxoi bash mirë. Tu ardh nuk mund të ecte, ‘oj mam zemra po më dhemb’, e morra në shpi e tash si me fjalë mo, e mora ajo vetëm qante. Në gjysë nate më ka thirr doktoresha me hy në sallë, ku ka qenë çika. Kom hy kom qëndrua me çikë dhe erdh doktoresha po ma bën, oj zojë nuk e ka prej të rrahurit, ka infeksion të madh. I ka shpërthyer gjakderdhja prej infeksionit të madh’-u shpreh nëna.
Familja akuza ndaj mjekëve
Prindërve i ishte thënë nga mjekët se vajza kishte lëndime të rënda në kokë e në gjoks. Pas përkeqësimit të gjendjes, katër vjeçarja ishte dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare në Kosovë. Por nëna e saj pretendon e asaj iu dha një shkak tjetër, që për fat të keq, rezultoi me vdekjen e saj. Nëna e 4-vjeçares, deklaroi gjithashtu se kur vajza e saj u nis për tu trajtuar në Prishtinë, autoambulanca nuk e ka marrë me vete, dhe pasi ajo ka vdekur askush nga stafi i spitalit nuk e ka njoftuar për vdekjen e saj.
“Autoambulanca ka ikur, nuk na ka marrë me vete, ne i thoshim na merr me vete, nuk më kanë marrë. Më thanë, jo nuk bën me ardhë me ne. Që vajza ka vdekur e kemi marrë vesh në telefona, nuk na kanë treguar. Përmes Facebookut e kanë qitë, as nuk e kam ditur. Ne nuk kemi ditur asgjë, vajza më ka ndërruar jetë në tetë të mëngjesit, dhe dikur në aksham kur po e shohim se krejt lagjja erdhën te dera. Unë thash çfarë ndodhi, kur po hynë këta po na tregojnë që e kanë qit aty. E kanë pasur numrin e telefonit nuk na kanë lajmëruar”-u shpreh nëna.
Pasi prindërit e vajzës së ndjerë kanë akuzuar spitalin për reagim joprofesional, spitali “Isa Grezda” në Gjakovë ka dalë me një sqarim shtesë. Sipas këtij reagimi thuhet se gjendja e vajzës ka filluar të përkeqësohet pas mbikqyrjes nga pediatri, ortopedi dhe kirurgu.
“Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmiut (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë. Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar. Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet. Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK. Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashke ndjejmë me familjen” thuhet në reagim.
Një reagim ka ardhur edhe nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK lidhur me rastin e vdekjes së vajzës 4-vjeçare nga Komuna e Gjakovës. PRAK thekson se nga deklarata e prindërve vërehet një menaxhim jo i mirë i rastit, për të cilin tani Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nisur tashmë hetimet./ZËRI