
KUMANOVË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kumanovë, ku dy persona janë qëlluar për vdekje me armë zjarri. Sipas mediave vendase, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:25 në fshatin Gabresh. Një 66-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri motrën dhe dy djemtë e saj, pra nipërit e tij.
63-vjeçarja dhe djali i saj 38-vjeçar, të dy të paidentfikuar me emër kanë ndërruar jetë në vend, ndërsa nipi tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në spitalin e Kumanovës, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Deri tani, vrasja dyshohet se ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë pasur për pronat.
“Më datë 21.02.2024, në orën 12:25, punonjësit e policisë së SPB-së kanë privuar nga liria D.Gj. (66) për shkak se në fshatin Gabresh të Kumanovës për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura pronsore-juridike, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të motrës së tij D.R.(63), dhe djemve të saj Zh.R.(36) dhe T.R.(38). Ndihma mjekësore emergjente ka konfirmuar vdekjen e D.R. dhe T.R., ndërsa Z.R., me lëndime është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Nga informacionet paraprake, bëhet me dije se autori është arrestuar pak minuta pas ngjarjes./ZËRI