
INDI- Tre persona janë arrestuar nga policia indiane dhe 4 të tjerë janë shpallur në kërkim pasi akuzohen për sulmin e dy turistëve dhe përdhunimin në grup të gruas. Policia e gjeti çiftin me shenja dhuna, të cilët janë shtetas spanjollë, rreth orës 23:00 me orën lokale (1730 GMT) të premten në anë të rrugës. Në një intervistë për kanalin televiziv "Antena 3" ata treguan sesi një grup burrash përdhunuan Fernandën dhe më pas dhunuan Vicenten.
“Më përdhunuan, qëndruan ashtu për rreth dy orë,”- tha në intervistë Fernanda, e cila ka kombësi të përbashkët braziliano-spanjolle.
Më herët këtë fundjavë, çifti publikoi një video duke përshkruar atë që ndodhi në llogarinë e tyre të përbashkët në Instagram, ku postojnë imazhe të udhëtimeve të tyre nëpër botë me motoçikletë për pothuajse 200 mijë ndjekës. Në një video të re, Vicente dhe Fernanda, e cila shfaqet me të nxira në fytyrë, falënderojnë ndjekësit për mbështetjen, shkruajnë mediat e huaja.
Ministria e Jashtme spanjolle tha të dielën se po dërgonte staf në zonë dhe kishte qenë në kontakt me autoritetet, ndërsa homologu i saj brazilian tha se kishte kërkuar kontakt me shtetasin brazilian përmes ambasadës së saj në Nju Delhi dhe ishte në dispozicion për të dhënë çdo ndihmë të aplikueshme./ZËRI