Bota

U tha se vdiq në aksident, por shqiptari u vra me kaçavidë

Ajo që dukej se ishte viktima e 100-të nga aksidentet automobilistike në rrugët e Bolonjës për këtë vit, në fakt ishte një shifër për një vrasje më tepër në zonë.

D.XH
U tha se vdiq në aksident, por shqiptari u vra me kaçavidë
Pamje nga vendi i ngjarjes

BOLONJA- Shqiptari Ilir Dervashi u raportua një ditë më parë se ka vdekur në një aksident automobilistik të Bolonja të Italisë.

Mirëpo, oficerët e policisë rrugore në Altedo hetuan dhe zbuluan se Dervashi nuk ka vdekur si pasojë e aksidentit. Por, ai kishte një plagë, që qartësisht tregonte se ishte vrarë.

Ajo që dukej se ishte viktima e 100-të nga aksidentet automobilistike në rrugët e Bolonjës për këtë vit, në fakt ishte një shifër për një vrasje më tepër në zonë. Oficerët e policisë thanë se Dervashi, pak përpara se të pësonte aksident, ishte goditur me mjet të mprehta në pjesën e barkut, saktësisht me një kaçavidë.

Me shumë mundësi, goditjet e tepërta me kaçavidë në pjesën e barkut, kanë bërë që shqiptari Dervashi të ndërrojë jetë. Për këtë vdekje akuzohet tashmë shoferi i makinës, Miri Gurra, një 34-vjeçar, po ashtu shqiptar. Aksidenti në autostradën A13 ndodhi pak pas orës 9 të mëngjesit, në shtrirjen e autostradës në drejtim të Bolonjës.

Makina në të cilën udhëtonin dy shqiptarët, një tip Renault Capture, ishte përplasur me makinën përpara, teksa humbi kontrollin e përfunduar në bimësinë në anë të rrugës. Shoferi 34-vjeçar është nxjerrë i padëmtuar. Por Dervashi ishte tashmë i vdekur. Gjendja e trupit ngjalli dyshime. Policia rrugore ka njoftuar menjëherë prokuroren kujdestare Michela Guidi.

Skuadra policore ndërhyri gjithashtu në autostradën A13 për të rindërtuar atë që ndodhi brenda makinës para përplasjes.

Mundësia më e madhe është se mes dy burrave mund të ketë shpërthyer një debat dhe arsyeja e këtij sherri nuk dihet. Dhe në këto kushte të përplasjes verbale, Gurra mendohet se ka kapur gjënë e parë që i ka dalë përpara, një kaçavidë të gjetur në kabinën e pasagjerëve dhe ka goditur në mënyrë të përsëritur Ilir Dervashin në bark. Teksa në automjet ka pasur skena të dhunës, Gurra mund të ketë humbur kontrollin e makinës, duke goditur mjetin përballë tyre dhe më pas duke dalë nga rruga.

Gurra në përfundim të hetimeve u arrestua për vrasje dhe u shoqërua në Dozza. Ai nuk u tha asnjë fjalë, as oficerëve dhe as magjistratit. Më pas u hetua në marrëdhëniet mes dy shqiptarëve, për mundësinë e sherreve të vjetra që mund të kishin shkaktuar grindjen.

Dy burrat shqiptarë mësohet se banonin të dy në Veneto. Në makinën me të cilën udhëtonin, e regjistruar në emër të Miri Gurrës, nuk u gjet drogë. Oficerët thonë se derisa nuk u gjet lëndë narkotike në mjet, është e dyshimtë se çfarë e ka shkaktuar këtë vrasje. Një mister që fshihet ende në heshtjen e 34-vjeçarit shqiptar Gurra.

Ndërsa, një ditë më herët, mediat italiane shkruanin për thjesht një aksident automobilistik, ku Dervashi kishte humbur jetën. Por, hetimet çuan në zbulimin e një vrasjeje./Zëri 

Poll

MOS HUMB