
SHBA- Hunter Biden, djali i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden ka paditur këtë të hënë agjensinë e taksave IRS. Sipas Biden dy punonjës kanë ndërhyrë në çështjen e tij dhe kanë shpërndarë pa autorizim të dhënat personale të taksave. Ky zhvillim ndodh në një kohë kur pritet të shtohen përplasjet ligjore dhe politike për zgjedhjet e vitit 2024 dhe kur babai i tij po përballet me një “betejë’' të fortë në Dhomën e Përfaqësuesve të kryesuar nga Republikanët në lidhje me këtë çështje.
Padia thotë se dy punonjësit “vendosën në objektiv dhe u përpoqën ta vënë në pozitë të vështirë Hunter Biden”. Ky i fundit shprehet se parashikimet ligjore për mbrojtjen e sinjalizuesve, nga të cilat kërkojnë të përfitojnë punonjësit në fjalë, nuk përfshijnë ndarjen e të dhënave konfidenciale në intervista me shtypin, apo gjatë dëshmive në Kongres.
Ndaj Hunter Biden-it u ngritën akuza ditë më parë se pati gënjyer për përdorimin e drogës, gjatë blerjes së një arme në tetor 2018. Avokatët e tij kanë sinjalizuar se do t’i kundërshtojnë akuzat. Kjo çështje ka gjasa të shndërrohet në një proces gjyqësor të profilit të lartë ndërsa afrojnë zgjedhjet e vitit 2024.
Padia e re civile e paraqitur në Uashington akuzon se në publikimet e paautorizuara përfshiheshin deklaratat e taksave të viteve konkrete që po hetoheshin, përfshirë zbritjet nga taksat dhe aludimet për detyrime të prapambetura. Padia nuk vë në dyshim vetë procesin hetimor, por kërkon “zbatimin e ligjit federal për taksat dhe privatësinë”, si dhe të ndalë përhapjen e “akuzave të pabaza” dhe “publikimin e paligjshëm” të të dhënave të tij të taksave.
Të dy punonjësit kanë mohuar të kenë motive politike. Ata kanë aluduar se prokurori që drejtonte hetimin, prokurori i Dellauerit, David Weiss, nuk kishte autoritetet të plotë për të ngritur akuza dhe në juridiksione të tjera, shkruan VOA. Por nga ana tjetër Prokurori Weiss, i emëruar fillimisht nga ish-Presidenti Donald Trump, dhe që u mbajt në këtë detyrë për të mbikëqyrur çështjen hetimore ndaj Hunter Biden-it, ka mohuar t’i ketë munguar autoriteti për të ngritur akuza.
Hunter Biden pritej të pranonte fajësinë për akuzat për shkeljet për mospagimin në kohë të taksave, në një marrëveshje paraprake të arritur me prokurorët, ku përfshihej edhe fajësia për pronësinë e armës. Agjencia e taksave IRS dhe avokatët e punonjësve nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment./Zëri.ai