Bota

Trump kërkon largimin e UNMIK-ut nga Kosova, Gërvalla: Misioni ka shtrembëruar realitetin

Ministrja e Jashtme, ka rikujtuar sulmin e armatosur më 24 shtator 2023 në Banjskë, duke u shprehur se raporti ka qenë i njëanshëm dhe kundër të vërtetës së ngjarjes.

I.F
Trump kërkon largimin e UNMIK-ut nga Kosova, Gërvalla: Misioni ka
FOTO ILUSTRUESE

PRISHTINË- Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka kërkuar të largohet Mandati i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Kërkesa është paraqitur sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit nga përfaqësuesi i SHBA-ve në OKB, John Kelley. Kërkesa e tij është mbështetur nga ministrja e Jashtme Donika Gërvalla.

Gërvalla e ka kritikuar Misionin e OKB-së në Kosovë, duke u shprehur se ka shtrembëruar faktet. Ministrja e Jashtme, ka rikujtuar sulmin e armatosur më 24 shtator 2023 në Banjskë, duke u shprehur se raporti ka qenë i njëanshëm dhe kundër të vërtetës së ngjarjes.

“UNMIK-u nuk përmbush më asnjë funksion që do të justifikonte praninë e tij. Përderisa organizatat e tjera ndërkombëtare, si OSBE-ja, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian (BE), ofrojnë vlerësime të balancuara për zhvillimet në Kosovë, UNMIK vazhdon të shtrembërojë faktet dhe në këtë mënyrë e mashtron këtë Këshill. Ta quash këtë sulmin më 24 shtator të 2023 në Banjskë një incident serioz sigurie, siç e përshkruan raporti i UNMIK-ut, është shtrembërim i hapur i realitetit. Ky ishte një akt i pastër agresioni i sponsorizuar, armatosur dhe mbështetur nga Serbia. Ishte terrorizëm shtetëror. Ishte akt lufte”, u shpreh Gërvalla.

Në fjalën e tij, Kelley është shprehur se UNMIK-u është një mision paqeruajtës, por pa paqeruajtës, ndërsa 81% e buxhetit shkon për pagat e personelit edhe pse misioni ka tejkaluar prej kohësh mandatin.

"Ka ardhur koha për të tërhequr UNMIK-un nga Kosova. Ne bëjmë thirrje për mbylljen graduale të këtij misioni. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për eliminimin e shpenzimeve të panevojshme në organizatat ndërkombëtare. UNMIK-u është një mision paqeruajtës pa paqeruajtës, me 81% të buxhetit të tij që shkon për pagat e personelit edhe pse misioni ka tejkaluar prej kohësh mandatin e Kelley", tha John.

Nga ana tjetër, kryediplomatët e Kosovës dhe Serbisë kanë hedhur akuza ndaj vendeve të njëri-tjetrit, gjatë diskutimit të raportit 6 mujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për misionin e OKB-së në Kosovë.

Ministrja e Jashtme e Kosovës në detyrë, Donika Gërvalla, u shpreh se Serbia “nuk ka ndryshuar” dhe se po vazhdon përpjekjet për ta destabilizuar demokracinë e Kosovës, “jo vetëm përmes retorikës, por përmes veprimeve konkrete dhe të dhunshme që e rrezikojnë paqen dhe sigurinë në rajon”.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, hodhi akuza se gjendja e serbëve në Kosovë “po përkeqësohet” dhe “serbët po e paguajnë çmimin”.

“Në shtator 2023 Kosova ishte pre e një sulmi të armatosur nga një grup paramilitar të mbështetur nga Serbia dhe të udhëhequr nga Milan Radoiçiç. Banjska ishte akt paramilitar nga një shtet në një shtet tjetër, Ibër-Lepenci ishte sulm i gradës ushtarake nga një shtet në infrastrukturën kritike të një shteti tjetër”, tha Gërvalla./ZËRI

Poll

MOS HUMB