
PRISHTINË – Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekatherina Trëndafilova, gjatë fjalës së saj, në Prishtinë, u pyet edhe për protestën e organizuar nga aktivistë të PSD-së. Ajo tha se aktivistët mund të shkonin në hotel (ku mbahet konferenca) dhe ta takonin. "Nuk kam asgjë në lidhje me protestat. Mund të vinin këtu në konferencë dhe mund të flisnim. Nuk kishte arsye përse të protestonin", tha Trëndafilova.
Kryetarja e Speciales deklaroi gjatë konferencës së saj se Gjykata Speciale e Kosovës mund të shqiptojë edhe dënime të përjetshme. Ajo u shpreh se një dënim i tillë parashihet edhe në Kodin Penal të Kosovës. Një deklaratë të tillë, Trëndafilova e tha gjatë një takimi me shoqërinë civile në kryeqytetin e Kosovës.
Sipas saj, gjyqtarët e Dhomave të Specilizura do të zbatojnë ligjin në mënyrë të drejtë dhe do të vërtetojnë të vërtetën. Trëndafilova ka komentuar edhe vendimin për ndërprerjen e vizitave e komunikimeve për Thaçin, Veselin dhe Rexhep Selimin. Trëndafilova vlerësoi se Specialja udhëhiqet nga ligji e jo nga presionet.
“Nuk ka pasur asnjëherë presion, ndërhyrje në atë që ne bëjmë. Ne udhëhiqemi nga ligji dhe nga faktet e çështjes, kaq, dhe këtë e pohoj për të gjithë kolegët, për të gjithë gjyqtarët. Unë nuk po i mbroj ata. Ju duhet të jeni të sigurt se unë jam shumë e vëmendshme kur vëzhgoj, sepse është interesante për mua, është e rëndësishme kur t’ju takoj, është mirë të kem përgjigje bazuar në përshtypjen time personale se si zhvillohet seanca. Për këtë, jam absolutisht, plotësisht e sigurt se nuk ka asnjë ndërhyrje, ji i sigurt për këtë”, u shpreh ajo.
Më tej, Trëndafilova deklaroi se gjyqtarët nuk do të kompromentojnë asnjëherë të vërtetën.
‘Gjyqtarët e dhomave të specializuara nuk do të komprometojnë kurrë zbatimin e drejtë të ligjit dhe vërtetimin e së vërtetës. Dhe në një kohë që do të vijë, do të takohemi dhe nuk do të turpërohem të përballem me ju, ju që më thoni në fakt, kjo nuk është e vërtetë. Por kjo është mënyra sesi funksionon. Nuk është e mundur, për shembull, ajo që ka ndodhur javën e kaluar me z. Thaçi, z. Veseli dhe z. Selimi, për të cilët është marrë vendim i ndërmjetëm nga gjyqtarët. Vendim i ndërmjetëm për t’u izoluar dhe gjithashtu për t’u kufizuar në komunikimin e tyre pa diskutim, absolutisht me avokatët e tyre, nuk ka dyshim për këtë dhe me disa familjarë. Por gjyqtarët dhanë, siç thonë ata, vendim të ndërmjetëm. Pse? Sepse donin të merrnin një justifikim të duhur, domethënë të siguronin fakte dhe prova nga prokurori specialist që i sheh me këtë kërkesë urgjente, me këtë ‘mocion urgjent’ – kështu u quajt”, deklaroi ajo.
Disa ditë më parë, Gjykata Speciale ka marrë vendimin për të ndërprerë vizitat për ish-krerët e UÇK-së, si dhe komunikimet e tyre. Po ashtu, Trëndafilova deklaroi se sot do të merret vendimi përfundimtar për mocionin urgjent për këtë çështje.
“Sa i përket kushteve, mendoj se e kam shpjeguar se trupi gjykues i dytë për rastin e madh pritet të marrë vendim përfundimtar për këtë mocion urgjent të prokurorit për kufizimin e komunikimeve të tre të akuzuarve, Thaçi, Veseli dhe Selimi. Pasi të marrim mendimet e atyre, prokurorit, kryesekretarit dhe me shumë gjasa të mbrojtjes, natyrisht, do të shohim se çfarë do të vendosin. Por siç thashë, është e domosdoshme që takimet me Këshillin e tyre nuk mund të kufizohen fare, dhe ky është një takim i lirë pa asnjë monitorim, kjo është marrëdhënia e shenjtë midis klientit dhe këshilltarit të tij. Për sa i përket familjarëve, gjyqtarët do të vendosin se kush nga familja do zhvillojë takime”, deklaroi Trendafilova.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara nuk dha një koment në lidhje me dënimin prej 26 vite burg për Salih Mustafën. “Më pyetët për 26 vitet e z. Mustafa. Si mund të komentoj këtë? Ky rast mund të shkojë në Dhomën e Specializuar. Më 14 dhjetor, Dhoma e Apelit do të marrë aktgjykimin, por më pas ai është subjekt i shqyrtimit nëse Mustafa dëshiron, e çon në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Supreme. Unë respektoj vendimin e marrë nga gjyqtarët e pavarur. Nuk mund të bëj një koment për këtë. Nëse do të bëja një koment, nëse sigurisht që ai (Mustafa) do të bëjë një referim në Gjykatën e Lartë, ju do të keni të gjitha arsyet për të kërkuar që të diskualifikohem për këtë çështje, nëse unë shpreh një mendim; nuk mundem”, u shpreh ajo.
Ekatherina Trëndafilova dha edhe detaje në lidhje me proceset gjyqësore që janë duke u zhvilluar në Hagë.
“Dhe të hënën, dhoma e apelit që ishte… nga z. Mustafa, ka lëshuar urdhrin për caktimin e datës 14 dhjetor. Kështu që brenda disa ditëve të javës së ardhshme, kur kolegji i apelit do të vijë në sallën e gjyqit dhe ata do të japin gjykimin e tyre, askush nuk e di se çfarë do të vendosin për të njëjtën çështje, një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte në prill, të këtij viti, ku u dha aktgjykimi i urdhrit të dëmshpërblimit. E korrigjoj veten, nuk ishte aktgjykim, ishte një urdhër sipas të cilit tetë prej viktimave, të cilëve u është dhënë statusi i pjesëmarrjes në këtë rast, u është dhënë edhe dëmshpërblim. Dhe tani le të shohim se si do të zhvillohet më tej kjo çështje. Jemi në pritje të aktgjykimit të dhomës së apelit, i cili ka të bëjë me dënimin dhe me aktgjykimin në themel të çështjes, urdhri i dëmshpërblimit nuk është ankimuar në dhomën e apelit, por megjithatë do të ndikohet varësisht se si gjyqtarët do të vendosin për krimet e supozuara të kryera për të cilat Mustafa është dënuar nga gjykata themelore”, tha ajo.
Kujtojmë se ditën e sotme, përpara konferencës së Trëndafilovës, u mbajt një protestë nga PSD. Tre aktivistë, ndërmjet tyre edhe kryetari i partisë Dardan Molliqaj u arrestuan nga Policia e Kosovës./Zëri.ai/