
MAQEDONI E VERIUT- Dy ish-ministrat e Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut janë ndaluar nga autoritetet, ndërkohë që zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë po hetohen në lidhje me tragjedinë e Koçanit ku mbetën të vdekur 61 persona. Alsat shkruan se në listen e hetuesve janë shtuar të gjithë ish-ministrat e Ekonomisë, pozitë kjo që mbahej kryesisht nga BDI dhe që prek periudhën nga viti 2012 kur për herë të parë diskoteka Puls u pajis me licencë e deri në vitin 2024 kur rinovoi në mënyrë të falsifikuar licencën e punës. Të ndaluar janë ministri aktual dhe ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje e Shpëtim Shaban Saliu, ish-ministrat e Ekonomisë Valon Saraçini, Bekim Neziri dhe Driton Kuçi. Aktualisht Kuçi është ambasador në Norvegji, ndërsa në rrjetet sociale ai ka konfirmuar kontrollin e policisë në shtëpinë e tij dhe ka theksuar se do të kthehet në vend për procedurat.
“Besoj në drejtësinë për të mirën e përgjithshme. Me fluturimin e parë do të jem në Shkup, jo për tu arsyetuar, por për të konfirmuar se transparenca dhe besimi janë rruga e vetme” ka shkruar Kuçi në rrjetet sociale”, shkruan Kuçi.
Ndërkohë janë ndaluar edhe drejtori aktual i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Xhevat Selami, ish-drejtor i Inspektoratit të Tregut dhe inspektorë ndërtimi të cilët kanë punuar në komunën e Koçanit.
“Me urdhër të prokurorit publik në rrjedhë është aksioni për ndalimin e më shumë personave, në drejtim të zgjerimit të hetimit për zjarrin në Koçan. Autoritetet kompetente do ta informojnë opinionin në mënyrë të koordinuar në momentin që do të përfundojnë veprimet që janë në rrjedhë”,- thonë nga Prokuroria.
Paraprakisht Prokuroria ngriti procedurë hetimore për 34 persona fizikë dhe 3 juridikë, në mesin e të cilëve ishin edhe ish ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish drejtori i Mbrojtjes dhe Shpëtimit, ish kryetarë të komunës së Koçanit dhe ish drejtues të Inspektoratit të Tregut. Të gjithë të dyshuarit ngarkohen që në periudhën prej vitit 2012 deri në mëngjesin e kobshëm të 16 marsit, bashkë por çdokush në aspektin e tij, kompetencave dhe përgjegjësive nuk kanë vepruar sipas dispozitave për mbrojtje dhe kanë shkaktuar rrezik për mjedisin jetësor, trupin e njerëzve dhe pronës në përmasa të mëdha.
Si ndodhi tragjedia?
Në orën 3 të mëngjesit të 16 marsit, një klub nate në Maqedoninë e Veriut u përfshi nga flakët. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 61 persona dhe 155 të tjerë janë plagosur. Në ambientet e lokalit ishin mbi 1500 persona, të cilët po ndiqnin një koncert muzikor. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike./ZËRI