Bota

Historia e Ardit Gjoklajt përsëritet në Britaninë e Madhe! Punëtori mbijeton, kompania e mbeturinave gjobitet

Punonjësi i ri 40-vjeçar ishte duke mbledhur mbeturina në një kantier në Oldham kur eskavatori e përplasi nga pas dhe e shtypi duke i shkaktuar një frakturë kockore dhe dëmtim të muskujve dhe nervave.

F.m
Historia e Ardit Gjoklajt përsëritet në Britaninë e Madhe!
Ardit Gjoklaj

BRITANI E MADHE- Historia e Ardit Gjoklajt është përsëritur në Britaninë e Madhe, por me një ndryshim, punonjësi që u shtyp nga eskavatori që grumbullon mbeturinat, mbijetoi. Por, jo vetëm kaq. Kompania e grumbullimit të mbetjeve, vetëm dy ditë më parë është gjobitur me 250 mijë paund, shkruan BBC.

Punonjësi i ri 40-vjeçar ishte duke mbledhur mbeturina në një kantier në Oldham kur eskavatori e përplasi nga pas dhe e shtypi duke i shkaktuar një frakturë kockore dhe dëmtim të muskujve dhe nervave.

Ngjarja e rëndë raportohet të ketë ndodhur më 28 korrik të vitit 2021.

Ekzekutivi i Shëndetit dhe Sigurisë (HSE) ndoqi penalisht kompaninë Ëheeldon Brothers Ëaste Limited, dhe firma u deklarua fajtore për shkeljen e Aktit të Shëndetit dhe Sigurisë në Punë 1974.

Hetimi zbuloi se punëtori kishte mbledhur mbeturina me dorë, pasi pajisjet ishin dëmtuar dhe larguar muaj më parë, por askush nuk kishte marrë masa për rivendosjen e tyre në punë. Në këtë mënyrë stafi ishte ekspozuar kundrejt rrezikut përballë eskavatorëve që lëviznin në çdo orë të mundshme.

Aksidenti ndodhi në sytë e kolegëve të 40-vjeçarit, të cilët vunë alarmin sapo panë që punonjësi u shtyp nga eskavatori, gjë që bëri që shoferi i mjetit të ndalonte. I dëmtuar kaloi një javë në spital. Përveç gjobës, kompania u urdhërua të paguante 4,102.32 £ kosto në një seancë në Gjykatën e Magjistraturës së Mançesterit më 2 prill.

Pas seancës, inspektorja kryesore e HSE, Lisa Bailey tha: Ky njeri është me fat që është gjallë. Automjetet si eskavatorët kërkojnë hapësirë ​​të bollshme për shkak të mungesës së fushëpamjes që i japin drejtuesit të mjetit. Ky incident ishte lehtësisht i shmangshëm duke zbatuar masat e kontrollit dhe praktikat e sigurta.

Ardit Gjoklaj nga ana tjetër nuk pati të njëjtin fat. Më 7 gusht 2016, 17-vjeçari që punonte në të zezë në landfillin e Sharrës u shtyp nga makina grumbulluese e mbeturinave. Në raportin e Mjekësisë Ligjore thuhet se vdekja e Ardit Gjoklajt ka ardhur si pasojë e shtypjes së trupit në sipërfaqe të gjerë, përfshirë gjoksin, gjymtyrët e sipërme dhe kokën. Mjekët ligjorë gjetën dhe celularin e Ardit Gjoklajt “të ngulur” në trupin e të riut.

Por, dy vite më vonë, Gjykata rrëzoi Prokurorinë duke shpallur të pafajshëm dy të akuzuarit për ngjarjen ku mbeti i vrarë Ardit Gjoklaj. Dëfrim Hakrama, përgjegjës i turnit dhe Edmond Kollari, (ndaj të cilit u bë dhe një atentat), janë shpallur të pafajshëm për veprën penale të “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”.

Kollari është dënuar fajtor me 2 vite burg për veprën penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”, për shkak se nuk kishte patent për manovratorin.

Një nga argumentet që trupi gjykues ka rreshtuar në dosjen e Ardit Gjoklajt është fakti se sipas prova të grumbulluara, nuk ka asnjë provë që të vërtetojë faktin se Gjoklaj u godit nga fadroma.

Trupa gjykuese arsyetonte se është bërë krahasimi i njollave të gjetura tek fadroma me ADN e Gjoklajt, por nuk janë përputhur. Përfundimet e Gjykatës të çonin në një tjetër version.

Sipas gjykatës, ekspertiza ka zbuluar se Ardit Gjoklaj mund të jetë vrarë në një vend tjetër dhe më pas të jetë transportuar drejt vendit ku u gjet, pasi 17-vjeçarit i mungonte kafka, indet dhe gjaku. Gjykata thekson se në vendin ku u gjet trupi i pajetë i Ardit Gjoklajt ka shkuar një makinë, e dyshuar si makinë plehrash. Dhe ky mjet, thotë gjykata, ka mekanizmin e goditjes dhe ngjeshjes që i përputhet mekanizmit që ka goditur Ardit Gjoklajn. Makina ka qëndruar 4 minuta në vendngjarje dhe është larguar, por nuk është hetuar kurrë nga Prokuroria, duke lënë kështu një vdekje pa autor dhe një drejtësi të pa çuar në vend./ZËRI/

Poll

MOS HUMB