KOSOVË-Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, tha të hënën se bombardimet e NATO-s 25 vjet më parë kundër forcave jugosllave për të ndalur dhunën në Kosovë, ishin gjëja e duhur për t’u bërë. Blair, i cili në Kosovë vlerësohet si një nga personalitetet kryesore që nxitën fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, i bëri këto komente gjatë një fjalimi në parlamentin e Kosovës në kuadër të veprimtarive për shënimin e 25 vjetorit të çlirimit të saj.
Ai tha se triumfi i intervenimit të NATO-s nuk do të kishte ardhur pa vendosmërinë dhe trimërinë e popullit të Kosovës. Sipas tij, lufta e popullit të Kosovës simbolizonte vullnetin për një të ardhme më të mirë si shtet i pavarur dhe sovran. Blair nënvizoi nevojën që e ardhmja e Kosovës të jenë në Bashkim Evropian. Ndër të tjera ai kërkoi që vendet që se njohin Kosovën të binden për ta bërë një gjë të tillë sa më shpejtë.
Pjesë nga deklarata e tij në Kuvend:
Kosova më në fund u çlirua. Njerëzit janë në gjendje të jetojnë përsëri, të shpresojnë përsëri, të besojnë përsëri në një shoqëri të ardhshme të lirë dhe të drejtë, të lirë nga shtypja dhe padrejtësia. Sikur të kishim lejuar që Kosova dhe populli i saj të vazhdonin të brutalizoheshin, t’u hiqen të drejtat, t’u vidhet e ardhmja, e ardhmja jonë në vende si imi do të ishte pakësuar. Prandaj për mua ishte lufta për Kosovën jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë ne.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i dhuroi Tony Blair gurin e Ibrahim Rugovës, po ashtu ish-kryeministri britanik u nderua edhe me 'Çelësin e Qytetit" në Prishtinë.