
KILI - Zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë me flakët në Kili. Zjarret e egra që vazhdojnë të shpërthejnë kryesisht në provincën turistike bregdetare të Valparaisos në Kilin qendror, kanë vrarë të paktën 112 persona dhe numri rrezikohet të rritet ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë për të vënë zjarrin nën kontroll, rreth dyzet vatra aktive.
"Ky numër do të rritet, ne e dimë se do të rritet ndjeshëm", tha dje presidenti Gabriel Boriç. Ai i përshkroi zjarret në rajonin e Valparaiso si fatkeqësinë më të rëndë të vendit që nga tërmeti i vitit 2010, që la më shumë se 400 të vdekur dhe 1.5 milionë të zhvendosur. 'Kjo është tragjedia më e madhe që kemi përjetuar që nga tërmeti i vitit 2010”, tha Boriç. "Ne po përballemi me një tragjedi të përmasave të mëdha," tha presidenti, i cili vizitoi zonat e prekura.



Viktimat u karbonizuan brenda makinave të tij
Zjarrfikësit kilianë vlerësojnë se ka shumë më tepër viktima nga zjarri, pasi dhjetëra persona janë djegur brenda makinave të tyre, duke u përpjekur t'i shpëtojnë flakëve. Videot dhe fotot që janë publikuar nga Kili janë të tmerrshme.
Lagje të tëra të shkatërruara, makina të djegura, afro 260 mijë hektarë rrënoja. Afërsisht 1400 zjarrfikës, së bashku me 1300 ushtarakë dhe vullnetarë vazhdojnë sot, për të katërtën ditë, luftën për të frenuar dhjetëra zjarre në pjesën qendrore dhe jugore të vendit, sipas shërbimit kombëtar të parandalimit dhe reagimit ndaj fatkeqësive (SENAPRED).
“Duhet të themi se, bazuar në informacionin që kemi marrë nga shërbimi mjeko-ligjor, janë 112 të vdekur (dhe) 32 trupa janë identifikuar”, tha Manuel Monsalve, një zëdhënës i ministrisë së brendshme të vendit të Amerikës Latine, gjatë një konference për shtyp. Ai shtoi se zjarrfikësit po vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll rreth dyzet vatra zjarri.
Një raport i mëparshëm i shërbimit mjekoligjor (SML) fliste për 99 të vdekur. Kryebashkiaku i qytetit të Viña del Mar, Macarena Ripamonti dhe kreu i autoriteteve provinciale në Valparaiso, Rodrigo Mundaca, theksuan se qindra njerëz rezultojnë të zhdukur. Në Quilpue, një ekip i AFP-së pa lagje të tëra dhe qindra makina të shndërruara në rrënoja. Mijëra banorë mbetën të bllokuar për orë të tëra të premten atje, teksa tentuan të largoheshin.
Lilian Rojas, 67 vjeç, jeton pranë kopshtit botanik të Viña del Mar, një nga zonat më të goditura. "Nuk ka më asnjë shtëpi këtu", tha ai mes mbeturinave dhe hirit./ZËRI/