
Përleshje të dhunshme shpërthyen në Venecia të enjten midis policisë dhe protestuesve kundër një takes 5 euro që u është vendosur turistëve që qëndrojnë më pak se një ditë në qytet. Protestuesit që mbanin në duar tabela dhe pankarta shprehën zemërimin e tyre ndaj politikës që synon të frenojë rritjen e mbiturizmit në qytet, veçanërisht gjatë periudhave të pikut. Siç argumentojnë ata, tarifa nuk do të zgjidhë problemet thelbësore të qytetit, por vetëm do të dëmtojë imazhin e tij publik. Disa qindra njerëz u mblodhën me pankarta dhe organizuan marshime kundër masës.
Incidentet u përshkallëzuan, me protestuesit që përpiqeshin të çanin kordonin në pikat e hyrjes në qytet. Në disa nga pankartat shkruhej "Jo biletës". Për turistët e tjerë, ata që ishin në gondola, ishte sërish një mundësi për të fotografuar përplasjet.
Pse po reagojnë banorët
Pavarësisht presionit të madh nga hiperturizmi që ka detyruar mijëra njerëz të largohen nga qyteti, i madh është numri i atyre që reagojnë ndaj masës. Ata akuzojnë autoritetet e qytetit se me biletë e kanë kthyer në një “park tematik”.
Bashkia e qytetit thekson se sot, 25 prill, në ditën e parë të zbatimit të masës, 5500 persona kishin rezervuar një biletë, duke sjellë në arkat e qytetit 27 500 euro. Autoritetet thonë gjithashtu se nëse programi është i suksesshëm, tarifat komunale do të ulen.
Për çfarë mase bëhet fjalë
Sipas rregullores së re, do të vendoset një tarifë 5 euro për turistët që kalojnë nëpër qytet më pak se 24 orë dhe nuk flenë në Venecia. Skema do të zbatohet vetëm për 29 ditë deri më 14 korrik, për orë të caktuara të ditës.
Përjashtohen nga tarifa banorët, studentët dhe fëmijët nën 14 vjeç, si dhe ata që zgjedhin të qëndrojnë në hotel. Autoritetet shpresojnë se kjo mund të ndihmojë në menaxhimin e fluksit të rreth 30 milionë turistëve që vizitojnë qytetin çdo vit./ZËRI