
EUROPË- Vendet e Europës janë prekur nga moti i keq. Në vetëm 24 orët e fundit Italia, Franca, Gjermania, Holanda dhe Britania janë vënë në alarm të kuq pasi stuhia "Ciaran " po përparon në rajone të ndryshme, duke përfshirë gjithçka në rrugën e saj. Ekspertët e karahasuan fenomenin si një "bombë meteorologjike".
Mësohet se shtatë persona kanë vdekur nga rrëzimi i pemëve, një shofer kamioni në automjetin e tij në rajonin Aisne të Francës, një burrë në qytetin holandez Venray, një grua në qendër të Madridit, një person në Gjermani dhe dy persona të tjerë në Belgjikë, sipas raporteve të policisë. Dy persona humbën jetën në qendër të Gentit të Belgjikës, pasi u goditën nga rrëzimi i degëve nga pemët. Njëra nga viktimat ishte pesë vjeç, ndërsa tjetra ishte një grua 64-vjeçare gjermane që vizitonte Belgjikën. Një i tretë u plagos rëndë në qytetin Antwerp kur një mur i lartë u rrezua nga erërat rekord, thanë autoritetet.
Erërat në shumë zona të Italisë, Britanisë, Francës dhe Holandës po fryjnë rreth 200 km, ndërsa shirat e dendur kanë kthyer disa rrugë në lumenj duke shkaktuar probleme serioze në rrjetin hekurudhor dhe ajror rrugor. Shkollat, aeroportet dhe trenat kanë ndaluar shërbimin. Stuhia Ciaran trokiti fillimisht në Itali duke shkaktuar dëme të rënda materiale dhe më pas goditi pjesë të Britanisë dhe Francës. Në Paris përurimi i Kullës Eifel nuk u bë sot, siç ishte planifikuar.
Itali
Erërat e forta dhe shirat e dendur goditën Italinë me përmbytje në qendër të Milanos dhe tejmbushje të liqenit të Komos, një destinacion turistik. Gjithashtiu pati vërshime të lumit Sevezzo, i cili përshkon komunat e Como, Monza dhe Milano. Pjesë të Milanos u bënë të paarritshme, ndërsa videot në mediat sociale treguan se uji derdhej në stacionet e metrosë dhe këmbësorët binin ose kapeshin në shtylla gjatë rrëmbimeve të forta të erës. Shërbimi i mbrojtjes civile italiane vuri në alarm të kuq të gjitha zonat e rajonit Veneto, ku përfshihet edhe Venecia.
Francë
Stuhia vdekjeprurëse, e cila po prek shumë zona të territorit francez, me erëra më shumë se 200 kilometra në orë, ka shkaktuar probleme serioze në lëvizje, ndërsa dhjetëra familje janë zhytur në errësirë. Kompanitë hekurudhore kanë anuluar linjat e trenave. Një shofer kamioni ka humbur jetën pasi një pemë ka rënë mbi automjetin e tij në Ain, në verilindje të Parisit. Në Finistere të Brittany, ku erërat po frynin me shpejtësi deri në 207 kilometra në orë në zonën Pointe-du-Raz, dy persona u plagosën lehtë dhe qarkullimi rrugor u ndalua. Të paktën 1.2 milionë familje kanë mbetur pa energji elektrike në Francë, 780,000 prej tyre në Brittany. Gjithsej 31 zona franceze janë vënë në alarm portokalli për fenomene të rrezikshme të motit.
Britani e Madhe
Britania është gjithashtu në gatishmëri të lartë me Met Office që lëshon paralajmërime të verdha ‘rrezik për jetën’, niveli i dytë më i lartë i alarmit, në të gjithë Anglinë dhe Uellsin. Shirat e dendur dhe erërat e forta që filluan mbrëmë, kanë lënë në tokë shumë avionë dhe kanë vonuar shumë shërbime të trenave dhe anijeve. Ndërkohë, shumë shkolla mbyllur. Mbrëmë, erërat kanë fryrë me shpejtësi 167 kilometra në orë në Jersey, ishulli që ndodhet 193 kilometra larg Anglisë.
Përveç kësaj, dhjetëra njerëz u detyruan të evakuojnë nga shtëpitë e tyre si masë paraprake, sipas Shërbimit Zjarrfikës. Problemet janë të përqendruara jashtë Jersey, kryesisht në Southampton, Isle of Wight, ku komunat po mbyllin shkollat, si dhe në Devon dhe Cornwall. Shkencëtari i Universitetit të Reading Ed Huckins paralajmëroi se stuhia do të sillte reshje më të mëdha shiu, duke rrezikuar presionin më të ulët të nivelit të detit në 200 vjet.
Holandë
Autoritetet raportuan se një person humbi jetën pasi një pemë u rrëzua. Ndërkohë, kompania ajrore holandeze KLM ka anuluar dhjetëra fluturime. Siç raporton CNN, anulimet kanë të bëjnë me fluturimet nga aeroporti Schiphol i Amsterdamit.
Autoritetet janë të shqetësuara edhe për situatën në Skoci, ku ka ende ujëra të grumbulluara nga kalimi i stuhisë Babette një javë e gjysmë më parë.