
SHBA- Dy efekte anësore të reja, por jashtëzakonisht të rralla të vaksinës janë zbuluar nga ekspertët e studimit më të madh të sigurisë së vaksinave, raporton The Guardian.
Studimi i më shumë se 99 milionë njerëzve nga Australia, Argjentina, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Franca, Zelanda e Re dhe Skocia konfirmoi gjithashtu se sa të rralla janë ndërlikimet e njohura të vaksinës. Mësohet se 2 efektet e reja anësore janë çrregullimi neurologjik dhe inflamacioni i palcës kurrizore.
Studiuesit që ishin pjesë e Rrjetit Global për të Dhënat e Vaksinave përdorën të dhëna shëndetësore në sistemet elektronike për të krahasuar normat e 13 sëmundjeve të trurit, gjakut dhe zemrës te njerëzit pasi morën vaksinën Pfizer, Moderna ose AstraZeneca, me shkallën që mund të pritej që këto sëmundje të ishin prezente në popullsinë para pandemisë.
Studimi konfirmoi me një nivel të lartë saktësie lidhjet e njohura midis vaksinave të mRNA ( Pfizer dhe Moderna) dhe efekteve të rralla anësore të miokarditit (inflamacion i muskujve të zemrës) dhe perikarditit (ënjtje të qeses së hollë që mbulon zemrën). Ai konfirmoi gjithashtu sindromën Guillain-Barre (ku sistemi imunitar sulmon nervat) dhe trombozën e sinusit venoz cerebral (një lloj mpiksje gjaku në tru) si efekte të rralla anësore të lidhura me vaksinën AstraZeneca.
Por një efekt i ri i rrallë anësor, encefalomieliti akut i shpërndarë një inflamacion dhe ënjtje në tru dhe palcën kurrizore u identifikua gjithashtu në analizën e të dhënave si i lidhur me vaksinën AstraZeneca. Jo vetëm që studimi australian konfirmoi encefalomielitin akut të shpërndarë si një efekt anësor të rrallë, por sasia e madhe e të dhënave specifike të AstraZeneca gjithashtu i lejoi ata të zbulonin një efekt të dytë të ri të rrallë anësor, të njohur si mieliti tërthor ose inflamacion i palcës kurrizore.
Studimi australian zbuloi se të dhënat përkthehen në një rrezik jashtëzakonisht të vogël të encefalomielitit akut të shpërndarë prej 0.78 raste për çdo milion doza dhe 1.82 raste për milion doza për mielitin transversal./ZËRI